Shtëpia e Bardhë ka njoftuar planet e SHBA-së për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar në sanksionimin e presidentit rus, Vladimir Putin dhe ministrit të Jashtëm Sergei Lavrov.
Duke folur me gazetarët në konferencën përditshme të premten, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha se SHBA-ja, “në përputhje me vendimin e aleatëve tanë evropianë”, do të sanksionojë Putinin, Lavrovin, dhe “anëtarët e tjerë të ekipit rus të sigurisë kombëtare”.
Por, derisa sanksionet e Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së ndaj Putinit dhe Lavrovit do të sjellin një ngrirje të aseteve, jo një ndalim udhëtimi, Psaki tha se masat e SHBA-së do të përfshijnë një ndalim udhëtimi.
Psaki thotë se detaje më specifike mbi sanksionet do të publikohen më vonë sot. /Telegrafi/