Herolind Shala ka zbuluar disa gjëra mjaftë interesante sa i përket Përfaqësueses së Kosovës.
Mesfushori i Valerengas ka qenë në lidhje direkte në TelegrafiSport në Instagram, ku për rreth një orë ka folur gjerë e gjatë për karrierën e tij.
Fillimisht Shala foli për shtyrjen e ndeshjes së Kosovës me Maqedoninë e Veriut, ku tha se për Kosovën është një avantazh shtyrja e këtij takimi.
“Ndeshja është shtyrë, por ajo do të luhet. Ndoshta për ne është një avantazh pasi kemi pasur dy lojtar me lëndime të gjata si Arbër Zeneli e Hekuran Kryeziu dhe mund të rikthehen në formë”.
“Edhe për mua, Elbasan Rashanin e Fidan Alitin që luajmë në skandinavi është një përparësi pasi nuk ka filluar kampionati dhe mund ta kapim formën më të mirë”.
“Në shtator ose tetor kur të luhet ndeshja besoj që jemi të kompletuar dhe shpresoj në fitore”, deklaroi Shala.
Shala ka treguar edhe shokun më të mirë që e ka te Kosova, me të cilin e ndan edhe dhomën e hotelit gjatë grumbullimit.
“Me Arbër Zenelin jam më i lidhur, pasi edhe ndajmë dhomën e hotelit së bashku gjatë grumbullimit. Arbëri është një djalë fantastik”, tha Shala.
Tutje Shala zbuloi edhe futbollistin më humorist në Përfaqësuese, apo ai që përkujdesët për disponimin e lojtarëve.
“Vedat Muriqi na disponon më së shumti, tregon barsoleta me qebapa të Prizrenit, disa shqip disa turqisht dhe të gjithë qeshim me ato që i tregon ai”, vazhdoi tutje Shala.
Njëra nga pyetjet më interesante ishte se nëse do të bëhej penallti për Kosovën në minutën e fundit kujt do t’ia kishte besuar Shala.
“Kemi shumë lojtarë të mirë ku atyre që mund t’ia besoja penalltinë në minutën e fundit janë lojtarë si Arbër Zeneli, Vedat Muriqi, Milot Rashica apo Valon Berisha”, tha Shala.
Krejt në fund Shala zbuloi edhe lojtarin me të cilin ndihet më së miri në mesfushë në repartin defensivë.
“Kam luajtur me shumë, si Aneli, Besari, Idrizi apo Valon, por më së shumti përshtatem me Hekuran Kryeziu, ndoshta sepse kemi luajtur më së shumti së bashku”, përfundoi Shala. /Telegrafi/