Yousseff En-Nesyri është futbollisti më në formë i Sevillas këtë edicion.
Sulmuesi maroken ishte vendimtar edhe në fitoren e fundit të Sevillas në udhëtim te Real Sociedad 1-2 me një gol të shënuar.
23-vjeçari ka realizuar 16 gola deri më tani në La Liga dhe gjashtë tjerë në Ligën e Kampionëve, duke qenë golashënuesi më i mirë i Sevillas këtë edicion.
Gjithsesi forma e mirë e tij nuk ka shkuar pa u vënë re nga skuadrat e mëdha evropiane që e kanë në listë lojtarin.
Arsenal, West Ham United, Milan, Monaco, Roma e Borussia Dortmund janë skuadrat që po kërkojnë shërbimet e tij.
Mediat spanjolle kanë raportuar se Sevilla pritet ta thyej rekordin e klubit me shitjen e En-Nesyrit.
Klubi andaluzian pritet që nga largimi i lojtarit të fitojë 50 milionë euro, duke thyer rekordin e Dani Alves i cili u largua për 43 milionë euro.
Reprezentuesi maroken ishte bashkuar me Sevillën një vit më parë nga Leganes për 20 milionë euro, derisa ka kontratë me klubin deri në verën e vitit 2025. /Telegrafi/