Shtetasi i Kosovës, i nacionalitetit serb, i arrestuar sot në Bërnjak, është i dyshuar për shumë vepra penale, ndër to edhe për vrasje në tentativë.
Policia e Kosovës, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se si rezultat i angazhimit policor arrestohet personi i dyshuar i cili ishte në kërkim policor.
“Sot me datën 13.04.2024 në Bërnjak, është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar (S. S. viti i lindjes 1985), me vendbanim në Zveçan të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Sipas policisë, personi i dyshuar, tanimë i arrestuar nga Policia e Kosovës, është i dyshuar për disa vepra penale si: ‘vrasje e rëndë në tentativë’, ‘sulm ndaj personit zyrtar’, ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës’, ‘thirrje për rezistencë, pjesëmarrja në turmë dhe huliganizëm, asgjësim apo dëmtim i pronës’ etj, të cilat dyshohet se i ka kryer gjatë vitit 2021, transmeton Telegrafi.
“Këto veprime të dyshimta kriminale nuk janë protesta paqësore siç pretendohet e raportohet gabimisht. Të gjitha veprimet janë realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorinë kompetente, me autorizim të së cilës të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve”, thuhet në njoftim, duke shtuar se Policia vazhdon të zbatojë ligjin dhe të ofrojë mbrojtje e siguri për të gjithë qytetarët pa dallim. /Telegrafi/