Telegrafi

Serbët e veriut protestojnë para stacionit të policisë në Zubin Potok

Qindra serbë nga rajoni i Zubin Potokut dhe më gjerë, kanë protestuar sot në Zubin Potok në shenjë pakënaqësie, siç thanë ata, me shkatërrimin e monumenteve dhe ikonave fetare që kanë ndodhur kohën e fundit nëpër fshatrat e komunës së Zubin Potokut.

Ata protestën e filluan para stacionit policor në Zubin Potok, për të vazhduar pastaj deri në kishën e këtij qyteti ku ndezën qirinj.

Protesta e cila bllokoi vetëm një korsi të magjistrales Zubin Potok – Bërnjak, ka zgjatur rreth dyzet minuta dhe nuk është shënuar ndonjë incident.

Protesta është vëzhguar nga afër prej pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët ishin në numër më të madh se rëndom. /kp/