Telegrafi

Senati amerikan zbulon marrëveshjen prej 118 miliardë dollarësh për kufirin, ndihmën për Izraelin dhe Ukrainën

Senati i Shteteve të Bashkuara ka zbuluar një marrëveshje dypartiake prej 118 miliardë dollarësh që do të rriste sigurinë kufitare dhe do të ofronte ndihmë gjatë luftës për Izraelin dhe Ukrainën, shkruan Al Jazeera, përcjell Telegrafi.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe udhëheqësit demokratë dhe republikanë në Senat kanë bërë presion për të rifurnizuar Ukrainën me ndihma gjatë luftës, por janë përballur me rezistencë nga republikanët konservatorë, të cilët kanë këmbëngulur në masa për të trajtuar imigracionin e paligjshëm në kufirin me Meksikën.

Siç bëhet e ditur më tej, projektligji i shpallur të dielën do të sigurojë 60 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën, përpjekjet e së cilës për të “shtyrë tutje” Rusisë janë penguar nga ndalimi i dërgesave amerikane të municioneve dhe raketave.

Marrëveshja do të sigurojë gjithashtu 14.1 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Izraelin: 2.44 miliardë dollarë për të adresuar sigurinë në Detin e Kuq, ku rebelët Houthi të Jemenit kanë nisur dhjetëra sulme ndaj anijeve tregtare dhe 4.83 miliardë dollarë për të mbështetur partnerët në Azi, ku tensionet janë rritur midis Kinës dhe Tajvanit.

Sipas marrëveshjes, presidentit do t’i jepen kompetenca të reja për të dëbuar menjëherë emigrantët nëse autoritetet mbingarkohen me kërkesat për azil dhe aplikimet në kufi do t’i nënshtrohen zbatimit më të shpejtë dhe më të ashpër.

Emigracioni i paligjshëm pritet të jetë një çështje kyçe gjatë zgjedhjeve presidenciale në nëntor, me kandidatin republikan, Donald Trump, duke bërë një fushatë të madhe mbi pretendimet për një “pushtim” nga kufiri jugor.

Biden të dielën i kërkoi Kongresit të “kalojë me shpejtësi” marrëveshjen në mënyrë që ai të mund ta nënshkruajë atë në ligj, duke paralajmëruar republikanët që kanë shprehur alarmin për sigurinë e kufirit se “të mos bësh asgjë nuk është një opsion”. /Telegrafi/