Ka përfunduar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë pas mbledhjes së këtë javë do të mbahen dy seanca, transmeton Telegrafi.
“Do të kemi dy seanca gjatë kësaj jave, njëra seancë e cila do të posedojë shumë nisma dhe votime, dhe tjetra do të jetë solemne me rastin e përvjetorit të çlirimit të Kosovës. Por, ajo që u shpërfaq sot është qasja joparimore e shumicës së krijuar jo-legjitime në Kuvendin e Kosovës”, tha Selimi.
Më tej, ai shtoi se këto nisma që tashmë janë futur në agjendë ishin bllokuar gjatë kohës sa LVV ishte në pushtet.
“Ne sot futëm në agjendë të gjitha nismat që dikur grupet parlamentare kishin kundërshtuar. Pra, ato nisma që kishin bllokuar gjatë pandemisë që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me masa mbrojtëse, sot i kanë sjellë në Kuvendin e Kosovës. Sot u merrem me punët e Qeverisë Kurti, e cila është punë e pashmangshme edhe nga Qeveria ilegale e Hotit”, deklaroi ai para mediave, përcjell Telegrafi.
Selimi, theksoi se mazhoranca e re nuk e ka pasur hallin e mbrojtjes së qytetarëve e sipas tij, nuk e ka as tash./Telegrafi/