Në një video të postuar nga Ukraina, sekretari britanik i mbrojtjes, Grant Shapps, tha se është në kryeqytetin ukrainas “për të ngritur alarmin”.
Sipas tij, “çfarë do të thotë, nëse lejojmë që një vend demokratik të pushtohet nga një diktator si Putin? Çfarë do të thoshte për vlerat tona të lirisë dhe demokracisë?”.
Dhe kjo, ka shtuar ai, “nuk duhet të jetë në këtë mënyrë”.
I’m in Kyiv to raise the alarm to the democratic world – we must make sure Ukraine wins this war.
The UK has stepped up to do more than ever, with our largest military support package to date. Every nation must now do the same and ensure freedom triumphs over tyranny. pic.twitter.com/DYbOcCUkho
— Rt Hon Grant Shapps MP (@grantshapps) March 8, 2024
“… Pra, mesazhi është i thjeshtë: kjo është një thirrje zgjimi për botën. Le të sigurohemi që Ukraina ta fitojë këtë luftë”, ka thënë më tej ai, përcjell Telegrafi.
Deklarata e tij vjen në kohën kur shumë shtete perëndimore dhe përfaqësues të tyre po bëjnë thirrje për vazhdim të ndihmës për Ukrainën, në luftën e saj kundër Rusisë.
Ajo vjen edhe në ditën kur presidentja moldave ka paralajmëruar se Rusia po shton përsëri përpjekjet për të destabilizuar vendin e saj.
Madje, sipas Maia Sandu, e cila po fliste pas nënshkrimit të një marrëveshjeje për mbrojtjen dhe bashkëpunimin me Francën, Vladimir Putin do të kërkonte të merrte më shumë tokë nëse nuk ndalet në Ukrainë.
“Nëse agresori nuk ndalet, ai do të vazhdojë, dhe vija e frontit do të vazhdojë të lëvizë më afër. Më afër nesh. Më afër jush”, citohet të ketë thënë ajo, përcjell Telegrafi.
“Prandaj Evropa duhet të paraqesë një front të bashkuar. Agresioni duhet të zmbrapset nga një forcë e fuqishme”.
Ndryshe, vendet gjeografikisht më afër Rusisë i kanë shtuar paralajmërimet e tyre muajt e fundit, nga frika se një dështim për të shtyrë forcat e Moskës në Ukrainë mund të kërcënojë kufijtë e tyre.
Ndërkohë, së fundmi Rusia dhe Ukraina thanë se kanë rrëzuar dhjetëra dronë gjatë natës, teksa të dyja shtetet kryen sulme gjatë natës ndaj caqeve të njëri-tjetrit pas vijave të frontit. /Telegrafi/