Qeveria gjermane është në qendër të kritikave pas publikimit të një audio-regjistrimi të oficerëve të lartë që kundërshtojnë argumentet publike të kancelarit gjerman, Olaf Scholz.
Ky i fundit ka mbrojtur qëndrimin për të mos dërguar raketa të fuqishme me rreze të gjatë veprimi, Taurus në Ukrainë, duke u thënë ligjvënësve gjermanë të mërkurën se maturia nuk është një dobësi ndërsa këmbëngul se ai i beson Kievit.
“Nga këndvështrimi im, kjo është një armë me rreze të gjatë veprimi”, tha ai para dhomës së ulët të Bundestagut. “Duke pasur parasysh rëndësinë e mos humbjes së kontrollit mbi objektivat, kjo armë nuk mund të përdorej pa dislokimin e ushtarëve gjermanë. Unë e refuzoj këtë”, pohoi udhëheqësi gjerman.
Duke theksuar kontributin e gjerë të Gjermanisë në mbrojtjen e Ukrainës, Scholz tha se “mbetet thelbësore që ne të peshojmë me kujdes çdo vendim individual”.
“Maturia nuk është diçka që dikush mund ta cilësojë si dobësi, siç bëjnë disa”, tha 65-vjeçari, raporton euronews.
Ndryshe, Gjermania pas SHBA-së është furnizuesi i dytë më i madh i Ukrainës me pajisje ushtarake.
Raketat kanë një rreze veprimi deri në 500 kilometra – që do të thotë se në teori mund të përdoren kundër objektivave në territorin rus.
Britania dhe Franca kanë njoftuar prej kohësh se po dërgojnë raketa me rreze të gjatë veprimi Storm Shadow dhe Scalp në Ukrainë. /Telegrafi/