Site icon Telegrafi

Scholz: Çështja e liberalizimit të vizave duhet të shkojë përpara

Kancelari gjerman, Olaf Scholz gjatë një konference për media në Prishtinë / Foto: Ridvan Slivova

Kancelari gjerman, Olaf Scholz tha sot në Prishtinë se çështja e liberalizimit të vizave duhet të shkojë përpara.

Scholz në konferencën për media tha se i vjen mirë që po viziton Kosovën si vend të parë në Ballkanin Perëndimor, raporton Telegrafi.

“Takimi i serishëm pas një muaji tregon sa të ngushta janë marrëdhëniet tona bilaterale… Çështja e liberalizimi i vizave duhet të shkojë përpara… Ne do të angazhohemi që liberalizimi i vizave të ndodhë sa më shpejt pasi Kosova i ka plotësuar kriteret. Për këtë do të flasim me të gjithë partnerët në Evropë në mënyrë që të binden edhe ata”, tha ai.

Duke folur për proceset integruese, kancelari gjerman tha se do ta rijetësojë Procesin e Berlinit, ndërsa në vjeshtë do të ftojë një konferencë në Berlin.

Ai tha se Procesi i Berlinit është një shenjë që Gjermania do të ndihmojë me të gjitha mundësitë që ka vendet e Ballkanit Perëndimor që t’i bashkëngjiten BE-së në kohën e duhur dhe për t’i bindur ato që rruga duhet ndjekur.

Sipas tij, rruga drejt BE-së ka një shans realiste, ndërkaq të gjitha vendet duhet të jenë të gatshme për kompromise pragmatike.

Kancelari gjerman foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi, duke thënë se është shumë i rëndësishëm, ndërsa kërkoi nga të dyja palët zotim të qartë, konstruktivitet dhe pragmatizëm.

Ai tha po ashtu se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidh edhe çështjen e njohjes së Kosovës.

“Kosova dhe Serbia përmes një marrëveshjes gjithëpërfshirëse të gjejnë një zgjidhje politike. Dialogu është rruga që i hap Kosovës perspektivën evropiane…E qartë është që marrëveshja duhet të zgjidh çështjen e njohjes së Kosovës…Është e paimagjinueshme që dy vende të bëhen anëtare të BE-së e nuk e njohin njëra tjetrën…”, tha ai. /Telegrafi/

Exit mobile version