Telegrafi

Samiti i liderëve evropianë dhe paralajmërimi i kancelarit gjerman për bisedime në Spanjë për tensionet Kosovë-Serbi

Samiti i liderëve evropianë do të mbahet të enjten në Granada të Spanjës, ndërkaq pjesëmarrës në këtë samit do të jenë edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Mediumi britanik “The Guardian” referuar burimeve shkruan se ka përpjekje për t’i takuar Osmanin dhe Vuçiqin.

“Vuçiq dhe Osmani do të marrin pjesë në samitin e liderëve evropianë në Granadë të Spanjës dhe burimet thonë se ka përpjekje që t’i ulin ata së bashku në një dhomë përkundër armiqësisë politike ndërmjet dy vendeve”, shkruan “The Guardian”, transmeton Telegrafi.

Ndërkaq, kancelari gjerman Olaf Scholz bëri thirrje të mërkurën për një zgjidhje paqësore të situatës në veri të Kosovës.

“Për mua, është shumë e rëndësishme që situata të mos përshkallëzohet më tej kur bëhet fjalë për Serbinë dhe Kosovën. Duam një zgjidhje paqësore dhe për këtë jemi shumë të angazhuar bashkë me Francën dhe Italinë,” tha Scholz në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin bullgar Nikolai Denkov.

Ai shtoi se çështja do të diskutohet gjithashtu të enjten dhe të premten kur krerët nga gati 50 vende evropiane të takohen në Granada të Spanjës.

Gjatë ditës, një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme gjermane e quajti tërheqjen nga Serbia të trupave nga kufiri me Kosovën një “hap të rëndësishëm,” por i kërkoi Beogradit të bëjë më shumë për të de-përshkallëzuar tensionet me Kosovën, transmeton Anadoly Agency.

Duke folur për mediat në Berlin, Kathrin Deschauer tha se situata në rajon është “mjaft shqetësuese” pas raundit të fundit të dhunës vdekjeprurëse në veri të Kosovës.

“Serbia ka detyrimin të bëjë thirrje pa mëdyshje për një heqje dorë nga dhuna. Në përgjithësi, situata është e tensionuar. Shenjat e para të një reduktimi të trupave serbe janë një hap i rëndësishëm drejt de-përshkallëzimit. Pavarësisht nga kjo, ne duam të theksojmë përsëri se hapa të mëtejshëm duhet të merren tani,” tha ajo. /Telegrafi/