Në samitin e G7-së që është mbajtur në Quebec të Kanadasë, është shkrepur një foto interesante e realizuar me sa duket gjatë një diskutimi mes liderëve botëror – ajo është e realizuar në të njëjtën kohë nga të katër anët.
Në foton e publikuar në profilin e kancelares Angela Merkel në Instagram, ajo dominon e rrethuar nga bashkëbiseduesit – duke tentuar të zgjedhin qëndrimet e ndryshme – duke i mbajtur duart mbi tavolinë para presidentit amerikan Donald Trump, i cili është personi i vetëm që qëndron ulur që nuk e shikon derisa ajo flet, transmeton Telegrafi.
Kjo foto ka shkaktuar një lumë komentesh, kurse disa përdorues të rrjeteve sociale, Merkel u është dukur si një “mësuese” që “qorton nxënësin që nuk e dëgjon” – Trumpin.
Ndërkaq e pyetur në samit për raportet me Trumpin, Merkel ka deklaruar se dyshja nuk pajtohen gjithmonë, por se diskutojnë çështje të ndryshme.
Në të njëjtën kohë, në profilin e Trumpit në Twitter mund të shihet fotoja e skenës së njëjtë që në fokus është ai, derisa liderët tjerë e kishin rrethuar dhe i kishin kthyer sytë kah ai.
Edhe në profilin e presidentit francez Emmanuel Macron ka publikuar imazhin e njëjtë nga samiti, por se në të “rolin kryesor” e ka ai.
Fotografia e njëjtë nga këndi tjetër është publikuar në profilin e kryeministrit italian Giuseppe Conte, që qëndron pranë Trumpit dhe lexon njëfarë dokumenti, sigurisht ndonjë komunikatë të përbashkët.
Samiti dyditor i shtatë vendeve të zhvilluar është mbajtur në Quebec dhe ka përfunduar të shtunën, kurse liderët në një komunikatë të përbashkët janë “pajtuar për tregti të lirë dhe fer”. /Telegrafi/