Rusia është tani një “fuqi më e zvogëluar” dhe tashmë “e ka humbur strategjikisht” luftën në Ukrainë.
Kështu ka thënë kreu i forcave të armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, shkruan Sky News, përcjell Telegrafi.
Vladimir Putin ka humbur 25% të fuqisë tokësore të Rusisë vetëm për përfitime “të vogla”, ka shtuar admirali Sir Tony Radakin.
Ai ka thënë gjithashtu se Rusisë po i mbarojnë trupat dhe raketat e avancuara dhe nuk do të jetë kurrë në gjendje të pushtojë të gjithë Ukrainën.
Sir Tony tha: “Ky është një gabim i tmerrshëm i Rusisë – (ajo) tashmë ka humbur strategjikisht”.
“NATO është më e fortë – Finlanda dhe Suedia po kërkojnë të bashkohen me aleancën”.
Ai vazhdoi: “Makina ruse po ‘gërryen’ dhe po fiton nja dy, tre, pesë – kilometra çdo ditë”.
“Dhe kjo është e vështirë për Ukrainën, por kjo do të jetë një luftë e gjatë. Dhe ne po mbështesim Ukrainën, Ukraina ka treguar se sa e guximshme është me të vërtetë”.
Sir Tony ka bërë një vlerësim të lartë për popullin ukrainas.
Ai tha: “Ata janë gjenialë për sa i përket mënyrës se si po e bëjnë luftën me rusët”.
“Por ata janë gjithashtu njerëz të ndershëm, duke thënë se në fakt kanë nevojë për ndihmë”. /Telegrafi/