Perëndimi duhet të marrë në konsideratë se si të adresojë nevojën e Rusisë për garanci të sigurisë nëse presidenti Vladimir Putin pranon të negociojë për përfundimin e luftës në Ukrainë, ka thënë të shtunën homologu i tij francez Emmanuel Macron.
Në një intervistë me stacionin televiziv francez TF1 të regjistruar gjatë vizitës së tij shtetërore në SHBA javën e kaluar, Macron tha se Evropa duhet të përgatisë arkitekturën e saj të ardhshme të sigurisë.
“Kjo do të thotë që një nga pikat thelbësore që duhet të adresojmë – siç ka thënë gjithmonë presidenti Putin – është frika se NATO vjen deri në kufijtë e saj dhe vendosja e armëve që mund të kërcënojnë Rusinë”, citohet të ketë thënë Macron.
“Kjo temë do të jetë pjesë e temave për paqen, kështu që ne duhet të përgatisim atë që ne jemi gati të bëjmë, si i mbrojmë aleatët tanë dhe shtetet anëtare dhe si t’i japim garanci Rusisë ditën kur kthehet në tryezën e negociatave”.
Komentet e Macron kanë tërhequr kritika nga disa, me atë të ish-ministrit të mbrojtjes dhe punëve të jashtme të Lituanisë, Linas Linkevicius.
#Russia has all security guarantees if it doesn’t attack, annex or occupy its neighbors. If anyone wants to create a new security architecture that allows a terrorist state to continue its methods of intimidation, they should think again, it will jot fly. https://t.co/EqLpGNjwmb
— Linas Linkevicius (@LinkeviciusL) December 4, 2022
“Rusia ka të gjitha garancitë e sigurisë nëse nuk sulmon, anekson ose pushton fqinjët e saj”, kishte shkruar Linkevicius të dielën në Twitter.
Rusia dhe SHBA kanë thënë këtë javë se janë të hapur për bisedime në parim, megjithëse presidenti Joe Biden tha se ai do të fliste vetëm me Putinin nëse shefi i Kremlinit tregonte se ai ishte i interesuar të përfundonte luftën.
E Ukraina thotë se negociatat janë të mundshme vetëm nëse Rusia ndalet së sulmuari dhe tërheq trupat e saj. /Telegrafi/