Telegrafi

Rusët tentuan ta rrëzojnë edhe një dron Bayraktar të ushtrisë ukrainase – ndodhi në të njëjtën mënyrë si me dronin amerikan

Kanali Ukraine Weapons Tracker ka publikuar një video, që tregon një aeroplan luftarak të forcave ajrore ruse Su-27, duke tentuar të rrëzojë një dron ukrainas Bayrakatar TB2.

Videoja u publikua pesë ditë pasi dy Su-27 rus rrëzuan një NQ-9 Reaper të forcave ajrore të SHBA në ujërat e Detit të Zi, transmeton Telegrafi.

Mediat turke raportojnë se ky incident ka ndodhur mbi ujërat e Detit të Zi. Videoja tregon dy përpjekje për të rrëzuar Bayraktar TB2.

Nuk është e qartë nëse dy tentativat janë bërë nga i njëjti gjuajtës apo, siç ishte rasti me dronin amerikan, janë përfshirë dy aeroplanë luftarak.

Lexo po ashtu Publikohet videoja e përplasjes së dronit amerikan me aeroplanin luftarak rus mbi Detin e Zi

Në të dyja përpjekjet droni dridhet shumë. Por në të dyja tentativat, Bayraktar TB2 arriti të rifitonte pozicionin e tij pa u rrëzuar në ujërat e Detit të Zi. Mund të shihet se droni madje arrin të mbajë një lartësi fluturimi mbi 5.700 metra.

Kujtojmë që disa ditë më parë një dron i ushtrisë amerikane u godit nga një aeroplan luftarak rus, i cili e fillimisht hodhi sipër tij derivat dhe më pas e goditi në helikë.

Moska kishte mohuar akuzat duke pretenduar se nuk ka pasur kontakt fizik, pavarësisht se Washingtoni vazhdimisht akuzonte Rusinë për këtë rrëzim.

E pas publikimit të pamjeve nga Pentagoni u konfirmua edhe një herë se Rusia sërish ka gënjyer, dhe se ishte pikërisht aeroplani i tyre që e kishte goditur helikën e dronit, duke e detyruar operatorin ta rrëzojë në Detin e Zi. /Telegrafi/