Pushtuesit rusë po blejnë sisteme të komunikimit satelitor Starlink në vendet arabe.
Kështu ka thënë Drejtoria kryesore e Inteligjencës e Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës (HUR) në Facebook, transmeton Ukrinform, përcjell Telegrafi.
Rusia po blen pajisje komunikimi në vendet arabe, duke përfshirë terminalet Starlink, për përdorim në luftë, thuhet në raport.
Në një përgjim radiofonik të fundit, rusët po diskutonin mundësitë përkatëse për blerjen e një terminali Starlink, tha agjencia e inteligjencës ushtarake e Ukrainës.
Sipas një pushtuesi, “arabët sjellin gjithçka: tela, Wi-Fi, router…”, dhe kostoja e një pajisjeje Starlink është 200,000 rubla (rreth 2,000 euro).
HUR më herët konfirmoi se pushtuesit rusë po përdornin gjithnjë e më shumë sistemet e komunikimit satelitor Starlink në vijat e frontit.
Sipas inteligjencës ukrainase, bisedat e përgjuara midis forcave ruse zbuluan se terminalet Starlink ishin vendosur midis trupave që vepronin pranë qyteteve Klishchiivka dhe Andriivka në rajonin e Donetsk.
Ndryshe, Elon Musk kishte deklaruar se SpaceX nuk i kishte shitur terminalet Starlink, Rusisë. /Telegrafi/