Adnan Rrustemi, anëtar i KQZ-së nga Vetëvendosje, ka thënë se PZAP nuk mund të bëjë certifikim e kandidatëve për zgjedhje. Veprimin e kryetares së KQZ-së e konsideron shkelje ligjore.
Rrustemi, në emisionin “Përballje” me gazetarin Muhamet Hajrullahu në RTV Dukagjini, ka thënë se përgatitja në aspektin teknik sa u përket zgjedhjeve në komunat veriore kanë shkuar mirë.
“Kanë kaluar fazat siç janë lista preliminare e votuesve, regjistrimi i votuesve jashtë vendit, emërimi i Komisioneve Komunale. Ndërkohë që sot janë emëruar edhe këshillat e vendvotimeve që janë trupa që do të administrojnë procesin e zgjedhjeve në ditën e votimeve”.
Anëtari i KQZ-së nga Vetëvendosje ka thënë se abstenimi i tyre kundër emërimit të kandidatëve të Listës Serbe, erdhi si pasojë e së kaluarës së kandidatëve.
“Tre nga katër kandidatët e Listës Serbe kanë qenë ish-kryetarë, që kanë dhënë dorëheqje me motive kundër rendit kushtetues dhe republikan. Ata në aktet e dorëheqjes Kosovën e konsiderojnë pjesë të Serbisë dhe i referohen si ‘Kosova dhe Metohija’, e po ashtu kanë paralajmëruar se do të tërhiqen menjëherë pas zgjedhjeve”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Rrustemi ka thënë se Kosova nuk e ka luksin të shkojë në zgjedhje të njëpasnjëshme për dëshirë të Listës Serbe duke dëmtuar buxhetin shtetërorë.
Ai ka thënë KQZ—ja ka bërë shkelje ligjore pasi certifikoi kandidatët e Listës Serbe pa hedhje në votim duke bërë shkelje ligjore.
“PZAP pavarësisht se ka të drejtë ta hedh poshtë vendimin e KQZ-së, ajo nuk ka kompetenca për ta zëvendësuar KQZ-në. Ajo nuk mund të bëj certifikimin e kandidatëve. Mund ta udhëzoj KQZ të përmirësoj vendimin, por nuk mund të certifikoj një subjekt politik… Unë këtë çështje do ta dërgojë në gjykatë”, tha Rrustemi./Telegrafi/