Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi deklaroi sot se dakordimi për shtensionim me Bashkimin Evropian, nënkupton edhe heqjen e masave ndaj Kosovës. Sipas tij, marrëveshja e arritur të hënën është në përputhje me qëndrimin e institucioneve të Kosovës. Ai shtoi se gjendja në terren lejon zvogëlimin gradual të prezencës së policisë rreth ndërtesave komunale.
Gjatë deklarimit jashtë rendit të ditës, deputeti i shumicës parlamentare tha se akuzat për mos koordinim dhe izolim ishin kërkesa për dorëzim dhe vazhdim të qeverisjes si në dekadat e kaluara.
“Ky dakordim është në përputhje me gjendjen në terren, pas zgjedhjeve komunale në katër komunat në veri të vendit me 23 prill të këtij viti dhe qëndrimin e qeverisë për sundim të ligjit dhe sjellje para drejtësisë të personave përgjegjës për akte të dhunës në fund të muajit maj dhe fillim të muajit qershor. Po ashtu, ky dakordim është në përputhje me qëndrimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për mundësinë e zgjedhjeve të hershme në katër komunat në veri të vendit. Prezenca e njësive të policisë ka qenë në përputhje me situatën e krijuar. Gjendja në terren tani lejon për zvogëlim gradual të prezencës së policisë në dhe rreth ndërtesave të komunave në katër komunat në veri të vendit”, tha ai.
Rrustemi u shpreh se objektet e komunave janë pronë e republikës dhe aty duhet të shërbejë kryetari i zgjedhur. Po ashtu, ai theksoi se flamuri i Kosovës e ka vendin në objektet në fjalë.
“Ky dakordësim që u arrit të hënën, mund të arrihej edhe me 22 qershor të muajit të kaluar në Bruksel, pasi këto ishin ngaherë qëndrime të institiconeve të Republikës së Kosovës. Sundim i ligjit, ulje proporcionale e prezencës së policisë, zgjedhje të hershme dhe kthim tek tryeza e dialogut për zbatim të plot dhe pa kushte të marrëveshjes bazë për normalizim të marëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Ky dakordim me Bashkimin Evropian për deeskalim dhe normalizim nënkupton edhe kthim të balancit në tavolinën e dialogut. Kjo nënkupton që masat negative të njëanshme dhe të përkohshme duhet të hiqen dhe do të hiqen nga Bashkimi Evropian”, shtoi Rrustemi.
Me fillimin e fjalimit të Rrustemit, deputetet e Partisë Demokratike të Kosovës vendosën në foltoren e Kuvendit të Kosovës, pankartë me mbishkrimin “Zdravo”. Deputetet e opozitës, Floretë Zejnallahu dhe Blerta Deliu Kodra vendosën pankartat në foltore dhe pranë ulëses së kryeministrit Albin Kurti./KP/