Lëkundje të tokës janë regjistruar sonte në orën 23:07 në tërë territorin e Kosovës, si pasojë e një tërmeti të fuqishëm me epiqendër në Bosnje dhe Hercegovinë.
Detaje për tërmetin ka dhënë Ministria e Ekonomisë e Kosovës, e cila bazuar në Rrjetin Sizmologjik të Shërbimit Gjeologjik të Kosovës, Qendrën Sizmike Euro-Mediterane, si dhe në analizën numerike të të dhënave të ngjarjes sizmike, ka njoftuar se se me datë 22.04.2022 në ora 23:07 sipas kohës lokale, Bosnja dhe Hercegovina është goditur me një tërmet me magnitudë 5.9 sipas shkallës Rihter.
Sipas njoftimit të kësaj ministrie, përcjell Telegrafi, tërmeti ishte me intensitet VII ballë të Merkalit ku thellësia hipoqendrore ishte 10 kilometra ndërsa epiqendra e këtij tërmeti ishte me lokacion në koordinatat: Latituda 43.05 N – Longitude 18.21 E.
“Tërmeti në fjalë është ndier dukshëm nga qytetarët e Republikës së Kosovës për shkak të fuqisë së lartë të tërmetit dhe veprimit e energjisë së liruar në një rreze deri në 400 kilometra”, është thënë në fund të njoftimit të Ministrisë së Ekonomisë të Republikës së Kosovës.
Ndryshe, nga një tërmet që ndodhi në orët e vona të së premtes me epiqendër në Bosnjë dhe Hercegovinë tanimë është shënuar edhe viktima e parë – përkatësisht një vajzë 27-vjeçare, në shtëpinë e së cilës thuhet se kishte rënë një gur i madh. /Telegrafi/