Anësori i Liverpoolit, Mohamed Salah, ka treguar se si e ndryshoi karrierën e tij pasi u mospërfill nga Jose Mourinho te Chelsea.
Egjiptiani është në listën e lojtarëve më të mirë qe disa vite, mirëpo në një fazë të karrierës së tij u konsiderua si dështim në Ligën Premier.
Në janar të vitit 2014, Chelsea shpenzoi 11 milionë funte duke e transferuar Salahun nga Baseli i Zvicrës dhe asokohe ai ishte ndër lojtarët me perspektivë.
Mirëpo, në dy vite e gjysmë me Blutë, anësori regjistroi vetëm 19 paraqitje, duke qenë se Mourinho nuk i jepte hapësirë për t’u zhvilluar.
“Kur shikoj prapa, kam pasur këshilla të këqija me situatën. Ishte shumë e vështirë për mua, mendërisht. Nuk mund ta përballoja presionin që e kisha nga mediat, meqë vija nga jashtë. Nuk luaja sa duhet. Mendoja me vete: ‘Jo, më duhet të shkoj’”, ka rrëfyer Salah për revistën GQ.
Dhe pikërisht këtë e bëri duke u huazuar fillimisht te Fiorentina (2015) dhe pastaj te Roma (2016), ku pasi nënshkroi kontratë qëndroi vetëm një vit dhe në vitin 2017 iu bashkua Liverpoolit.
“I ke dy zgjidhje: T’u thuash njerëzve se kanë të drejtë të të lënë në bankën rezervë ose t’ua dëshmosh se e kanë gabim. Unë duhej t’ua dëshmoja se e kanë gabim”.
“Gjëja më e mirë që mund të bësh është një bisedë serioze me vetveten. E merr një kafe, ulesh dhe e pyet veten se çfarë dëshiron të bësh”.
“Disa njerëz nuk mund të përballen me vetveten në mënyrën e duhur. Por, unë nuk e kam problem këtë. Nëse po vuaj, thjesht përballem me vetveten dhe e kuptoj se ku jam”, ka vazhduar rrëfimin e tij egjiptiani.
Chelsea i Mourinhos në atë kohë u bë kampion, mirëpo ish-mbrojtësi Felipe Luis kishte treguar se Salah “po luante sikur Messi” në stërvitje dhe nuk mund ta kuptonte pse po largohej.
“Kur (Salah) shkoi te Fiorentina, i thashë: ‘Pse po shkon Momo? Je te Chelsea’. Ndërsa ai më tha: ‘Më duhet të luaj’. Mendova: ‘Ky djalë është i mirë’”.
“Ai nuk shkonte për para ose për të fituar më shumë; shkonte për të dëshmuar se mund të luajë. Në stërvitje ishte sikur Messi. Vërtet, sikur Messi. Pyeteni këdo”, ka shpjeguar Luis për The Guardian.
Kritikët besojnë se stili i ashpër i Mourinhos ishte arsyeja e problemeve të Salah, i cili më pas shkëlqeu në Ligën Premier nën drejtimin e Jurgen Klopp në Anfield.
Megjithatë, ‘Special One’ i mohon pohimet e tilla duke thënë për beIN Sports: “Fillimisht, njerëzit përpiqen të më identifikojnë si trajneri që e shiti Salahun. Unë jam trajneri që e bleu Salahun. Është krejtësisht ideja e gabuar”. /Telegrafi/