Telegrafi

Ronaldo ua rrëmben zemrat tifozëve – shpallet lojtar i ndeshjes në sfidën ku kishte kundërshtarë Messin, Mbappen e Neymarin

(Foto: Getty Images)

Cristiano Ronaldo menjëherë rrëmbeu zemrat e tifozëve saudit në paraqitjen e tij të parë në Arabinë Saudite, me një paraqitje mbresëlënëse duke shënuar dy herë në trilerin prej nëntë golash ndërmjet yjeve të Al Nassr&Al Hilal dhe Paris Saint-Germainit.

Në ndeshjen e zhvilluar të enjten mbrëma në Riad, superylli portugez ishte kapiten i skuadrës saudite, e cila u vë përballë rivalit të tij të përbetuar, Lionel Messi dhe emrave të mëdhenj të futbollit, si Neymar, Kylian Mbappe e Sergio Ramos.

Megjithëse ishte një takim miqësor, kjo sfidë joshi interesimin e futbolldashësve për shkak të emrave që ishin të përfshirë në të.

Ishte debutimi i 37-vjeçarit në futbollin saudit (megjithëse akoma jo zyrtar), ku ai menjëherë la mbresa dhe u shpall lojtari i ndeshjes.

Lexo po ashtu Përshëndetja, golat, ndërhyrja, zëvendësimet - momentet kyçe që e shënuan duelin ndërmjet Ronaldos dhe Messit

Tifozët kanë reaguar në rrjetet sociale për ta lavdëruar performancën e CR7:

“Ronaldo e fitoi çmimin e lojtarit të ndeshjes në një sfidë ku luajtën Mbappe, Neymar, Ramos dhe Messi. Ai është 38 vjeç (në shkurt)”.

“Cristiano Ronaldo në moshën 37 vjeçare u shpall lojtari i ndeshjes, kur Messi, Mbappe e Neymar, luanin që të tre në të njëjtin takim”.

“Ronaldo shënoi dy herë kundër Messi, Neymar, Mbappe dhe mori çmimin e lojtarit të ndeshjes. Më i miri i të gjitha kohërave, përgjithmonë”.


/Telegrafi/

(Foto: Power Sport Images)