Lëndimi nyjës në ndeshjen kundër Barcelonës, do ta mbajë Cristiano Ronaldon së paku një javë jashtë fushe.
Superylli i Real Madridit u lëndua në momentin e shënimit të golit në ‘el Clasico’ dhe pas përfundimit të pjesës së parë u zëvendësua.
Shqetësimi kryesor i tifozëve është se a do të mund të luajë 33-vjeçari në finale të Ligës së Kampionëve kundër Liverpoolit. Dhe sipas AS, Ronaldo do të jetë në fushë në finalen e 26 majit në Kiev të Ukrainës.
Dëmtimi që ka pësuar në Camp Nou nuk është serioz dhe ai tashmë e ka nisur trajtimin nga stafi mjekësor i Los Blancos.
Trajneri Zinedine Zidane vendosi të mos e rrezikonte duke e tërhequr nga loja, ndërsa po ashtu nuk do ta angazhojë lojtarin kryesor në dy ndeshjet e kësaj jave.
Reali zhvillon ndeshjen e mbetur ndaj Sevillas në mesjavë, ndërsa në fundjavë luan përballë Celta Vigos.
Cristiano do të kthehet në stërvitje të hënën e ardhshme dhe do të luajë në ndeshjen e fundit sezonale në La Liga, kundër Villarrealit.
Pastaj do të ketë kohë të përgatitet për finalen e madhe të 26 majit, ku Real Madridi kërkon trofeun e tretë radhazi të Ligës së Kampionëve. /Telegrafi/