Legjenda e futbollit brazilian, Ronaldinho, zyrtarisht është pensionuar nga futbolli, ndërsa lajmin e ka konfirmuar vëllai i tij, Roberto Assis.
Lojtari gjatë karrierës së tij ka luajtur me klube të mëdha si PSG, Barcelona dhe Milan.
“Ai e ka lënë futbollin, ka marr fund”, ka thënë Assis për O Globo.
“Le të bëjmë tani diçka të mirë për lamtumirën e tij, aq sa duhet, pas Kampionatit Botëror të Rusisë, ndoshta në gusht”.
“Ne do të bëjmë disa ngjarje tani përreth Brazilit, Evropës dhe Azisë. Natyrisht, po rregullojmë edhe diçka me ekipin kombëtar të Brazilit”.
37-vjeçari nuk ka luajtur në profesionalizëm, që nga largimi i tij nga Fluminense në vitin 2015.
Muajin e kaluar, Ronaldinho njoftoi synimin e tij për të dalë në pension: “Unë mendoj se do t’i them lamtumirë futbollit vitin e ardhshëm, zyrtarisht”.
Ronaldinho do të kujtohet për magjitë e tij që shfaqte në ndeshjet e futbollit, sidomos me fanellën e Barcelonës.
Ai e ka fituar Kupën e Botës, Ligën e Kampionëve dhe disa kampionate në Spanjë.
Ronaldinho është një herë fitues i ‘Topit të Artë’. /Telegrafi/