Telegrafi

Revista e famshme amerikane ‘Nylon’ shkruan për Ava Max: Krahas Bebe Rexhës, Duas e Ritës ajo përbën një sërë yjesh me origjinë shqiptare

Ava Max (Foto: Lexie Moreland/WWD via Getty Images)

Artistja shqiptare me famë botërore, Ava Max, ka pak kohë që ka publikuar albumin e saj të dytë në karrierë, “Diamonds & Dancefloors”.

Së fundmi, ajo ka dhënë një intervistë për revistën e famshme amerikane Nylon, ku ka folur mbi punën në këtë album dhe sukseset e saj në përgjithësi.

Mes të tjerash, revista njujorkeze ka vënë në pah faktin se edhe ajo si disa këngëtare të tjera të ngjashme, kanë të njëjtën origjinë.

Kopertina e albumit “Diamonds & Dancefloors” nga Ava Max (Foto: AVa Max/Instagram)

“Ava Max lindi si Amanda Ava Koçi në Milwaukee, Wisconsin, ku prindërit e saj u vendosën përfundimisht pasi u larguan nga Shqipëria rreth fundit të regjimit të tij komunist në vitin 1991. Krahas Dua Lipës, Bebe Rexhës dhe Rita Orës, Max përbën një sërë yjesh të estradës me trashëgimi shqiptare”, vë në dukje “Nylon”.

“Unë mendoj se ne thjesht kemi shumë shpirt dhe dhimbje në zërat tanë nga brezat e dhimbjes. Është në gjakun tonë, ajo me të cilën paraardhësit tanë duhej të përballeshin”, ka thënë Ava Max në intervistën për “Nylon”.

Foto: Ava Max/Instagram

Ajo e vlerëson familjen e saj me muzikalitetin e saj: babai i saj luante piano, nëna e saj këndonte opera, gjyshja e saj ende shkruan poezi edhe sot e kësaj dite, dhe gjyshi i saj i ndjerë ishte një aktor dhe komedian në Shqipëri. Ai ndërroi jetë vetëm një ditë pas publikimit të albumit ‘Heaven & Hell’.

Ava Max u transferua në Los Angeles si adoleshente për të ndjekur një karrierë të muzikës, por gjërat nuk shkuan në të vërtetë mirë derisa ajo takoi Henry Walter, i njohur si Cirkut, super-producenti kanadez që ka punuar me The Weeknd dhe Britney Spears, në Chateau Marmont në vitin 2014.

Foto: Ava Max/Instagram

Ajo e quan takimin me të “bekimi më i madh në jetën e saj”, teksa ishte ai i cili i ndihmoi asaj si bashkë-producent në albumin e ri “Diamonds & Dancefloors”.

Ava Max fitoi famë ndërkombëtare në vitin 2018 kur publikoi hitin “Sweet but Psycho”. /Telegrafi/