Telegrafi

Reshjet aktuale nuk pritet të sjellin vërshime në Kosovë, më të rrezikuara janë vendet e rajonit

Bashkim Kastrati nga sektori për Hidrologji dhe Prognoza Hidrologjike në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës në një intervistë për Telegrafin ka thënë se reshjet e shiut që kanë filluar gjatë natës së mbrëmshme dhe që do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme mund të jenë me intensitet më të lartë në disa zona por që nuk planifikohet të ketë vërshime.

Kastrati tha se muaji janar është muaji me mesataren më të lartë të reshjeve në vend.

“Në vazhdimësi jemi duke e përcjell situatën meteorologjike, pasi me thënë të drejtën e kemi pas një situatë të pazakontë, pasi kemi pas një muaj me sasi shumë të lartë të reshjeve. Mund të themi se e kemi pas një rekord me reshje. Pas të dhënave që ne i kemi mbledhur në tërë territorin e  Kosovës, muaji janar është ndër muajt me mesataren më të lartë të reshjeve. E kemi dhënë një informacion se edhe gjatë këtyre ditëve do të ketë reshje por jo të intensitetit dhe të karakterit të tillë çfarë i kemi lënë disa javë pas”, ka thënë ai.

Bashkim Kastrati nga sektori për Hidrologji dhe Prognoza Hidrologjike në IHMK

Mirëpo, siç tha Kastrati sasia e ujit nëpër lumenj pas këtyre reshjeve të ditëve të fundit do të jetë e lartë në disa zona, por jo rrezikshmëri për vërshime.

“Duke e pa situatën deri më tani të rënduar meteorologjike po ashtu dhe hidrologjike ku akoma nivelet dhe prurjet nëpër lumenjtë e Kosovës janë të larta, mirëpo jo në atë ato kuota ku mund të paraqiten rrezik potencial për të vërshuar. Sasia e reshjeve e filluar gjatë natës së mbrëmshme e cila do të vazhdojë edhe gjatë ditës së sotme, mund të ketë në disa zona intensitet më të lartë por nuk planifikohet që të ketë vërshime”, tha tutje ai.

 

Kastrati nga sektori për Hidrologji dhe Prognoza Hidrologjike në IHMK, tregoi se situata më e rënduar është në vendet fqinje.

“Siç jeni dhe ju të informuar nga dita e djeshme dhe sot situata më e rënduar është në vendet fqinje, Mali i Zi dhe Shqipëria, sidomos pjesa veri-lindore e Shqipërisë”, ka thënë Kastrati.

Shkodra ‘nën’ ujë – lumi Buna del nga shtrati, mbi 1,800 hektarë tokë të përmbytura

I pyetur se cilat janë masat e mundshme që duhet të merren nga institucionet përkatëse për të parandaluar vërshimet në vend, Kastrati tha: “Në vazhdimësi do të ketë vërshime dhe përmbytje lumore. Mirëpo, natyra siç e bën punën e saj dhe ne si shoqëri duhet ta bëjmë punën tonë. Ekziston një sërë masash që duhet të merren nga institucionet përkatëse që vërshimet të jenë më të lehta”.

Vërshime në rajonin e Pejës, gjendje e rëndë në fshatrat Baran dhe Çallapek

Telegrafi sot ka raportuar se në disa zona të Kosovës ka sasi të madhe të reshjeve, ku si pasojë disa rrugë janë të pakalueshme. /Telegrafi/