Trajneri i Shqipërisë, Edy Reja, në konferencën për shtyp para miqësores me Kosovën, ka folur në lidhje me situatën në skuadrën e tij, si edhe për motivimin në këtë takim vëllazëror.
“Është një ndeshje e ndier nga të dyja tifozëritë, do të mundohem të hedh në fushë një formacion konkurrues. Do të doja që të mbetej miqësore dhe mos ketë më shumë grintë se ç’duhet”.
“Broja nuk mund të jetë i gatshëm për probleme fizike, Gjasula do të vijë me vonë, duhet të shoh sot, pasdite, se kush është në gjendje më të mire dhe në mëngjes do të vendos për formacionin”.
“Do të luajnë lojtarë, si Hoxhallari, Çepele, Ismajlgeci, i kam parë edhe herë tjetër. Do të shoh edhe të rinjtë, meqë është miqësore. Nëse nuk i provoj tani, kur do të mund t’i provoj.
“Po të kisha mundësi, do ta evitoja miqësoren me Kosovën, por s’kishim alternativa të tjera. U gjendëm në një moment të vështirë”.
“Besoj se do t’i gjejmë motivimet për të luajtur një ndeshje të mirë. Ata që janë grumbulluar për herë të parë do të bëjmë maksimumin për të treguar veten, që të jenë të dobishëm në të ardhmen”, citon SuperSport fjalët e përzgjedhësit të Shqipërisë.