Site icon Telegrafi

Reja: Moldavinë nuk e nënvlerësojmë, dua të qëndroj te Shqipëria edhe pas kualifikimeve

 Në Moldavi për t’u rikthyer te fitorja. Edy Reja e di shumë mirë që Shqipëria duhet të reagojë shpejt dhe të kthejë faqe pas asaj humbjeje të marrë në fund ndaj Turqisë.

Në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Moldavisë, trajneri italian i Shqipërisë theksoi se kuqezinjtë nuk e nënvlerësojnë aspak kundërshtarin e rradhës, ndërsa konfirmoi se do të ketë pak ndryshime në formacion.

Edhe pse kuqezinjtë nuk kanë më shanse për të shkuar në Euro 2020, Reja nënvizoi gjithashtu se do t’i pëlqente të vazhdonte punën me kuqezinjtë.

“Ishim pak nervozë pas ndeshjes me Turqinë. Më shumë për rezultatin se sa për ndeshjen. E rëndësishme është që të mbajmë këtë intensitet. Rezultatet do vijnë. Kemi nevojë që të vijojmë edhe me rezultatet, jo vetëm me lojën”, ka thënë Reja.

“Më duhet akoma pak më shumë kohë për 11-shen titullare. Nuk mendoj se do bëj ndërrime domethënëse, do bëj pak ndërrime. Nëse i kam të gjithë në formën optimale, nuk do lëviz shumë. Do vendosim nesër. Dua të shoh këtë vazhdimësi në ndeshjen me Moldavinë”.

“Skuadrat e mia nuk nënvlerësojnë asnjë kundërshtar. Moldavia është një ekip i mirë. Edhe në Elbasan na vuri në vështirësi. Luajnë topin mirë. Do futemi me të njëjtën vendosmëri në fushë për të bërë maksimumin. Edhe Moldavia mund të na vërë në vështirësi”.

“Ne e dimë që të luash këtu nuk është e thjeshtë për ne. Ndeshjen e parë na vunë në vështirësi. Shënuam vetëm në fund. Ne do studiojmë si do vendosen në fushë ata, dhe do i përgjigjemi më pas”.

“Do më pëlqente të vazhdoja punën me Shqipërinë, por duhet të mbyllim këtë cikël tani. Duhet të studiojmë si shkuan gjërat në këto eliminatore, të shohim dhe pikët. Është një pyetje ku duhet të përfshihet edhe presidenti. Do isha i lumtur për të vazhduar me Shqipërinë. Skuadra më jep stimul dhe përgjigje pozitive. Do doja të vazhdonim këtë rritje dhe vazhdimësi, për të parë se deri kur do arrijmë me këtë ecuri”.

“Të përballem me një eksperiencë si e imja, normale që është e vështirë. Edhe ai do na ketë studiuar, dhe do na ketë ngritur ndonjë grackë. Me rëndësi është që të mos biem në grackë. Nëse jemi këtu në këto pozicione, do të thotë se jemi duke bërë mirë, sepse përndryshe nuk do interesohej kush për ne. Objektivi ynë është vendi i dytë, do luftojmë çdo ndeshje për pikët maksimale. Ai mbetet objektivi ynë primar”, ka shtuar më tej strategu italian.

Moldavia do të jetë Nikoqir i Shqipërisë në ndeshjen që zhvillohet nga ora 20:45 në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020. /ss/

Exit mobile version