Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka mirëpritur vendimin për zvogëlimin e pranisë policore përreth objekteve komunale në veri të Kosovës, që ka ardhur si rezultat i vlerësimit të përbashkët ndërmjet Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it.
Në bazë të vlerësimit të institucioneve të sigurisë, Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i nga e premtja (04 gusht) fillon zvogëlimi i numrit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për 25 për qind, në dhe përreth objekteve komunale në veri.
Lajçak, përmes një postimi në Twitter, zvogëlimin e pranisë së policisë në veri e ka cilësuar hap të rëndësishëm drejt de-eskalimit të plotë.
”E mirëpres vlerësimin e parë të përbashkët të sotëm të sigurisë ndërmjet Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe NATO-KFOR siç është rënë dakord në Bratislavë”, ka shkruar Lajçak, transmeton Telegrafi.
Ai ka thënë se “ky është një hap i rëndësishëm drejt de-eskalimit të plotë të tensioneve në veri të Kosovës”.
I welcome today’s first joint security assessment between Kosovo Police, @EULEXKosovo and @NATO_KFOR as agreed in Bratislava. This is an important step towards full de-escalation of the tensions in the north of Kosovo.
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) August 3, 2023
Ndryshe, nga nesër (e premte), fillon zvogëlimi i numrit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për 25 për qind, në dhe përreth objekteve komunale në veri.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ky vendim është marr pas një takimi punues që ka zhvilluar me EULEX-in dhe KFOR-in lidhur me vlerësimin e situatës së sigurisë pjesën veriore të vendit.
Sipas vlerësimit të përbashkët, nga Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR, situata e sigurisë në dhe rreth objekteve të komunave veriore vlerësohet se është e mirë.
“Në kuptim të këtij konstatimi të përbashkët, nga nesër fillon zvogëlimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për 25%, në dhe përreth objekteve komunale në veri. Ekipet e Policisë së Kosovës bashkë me EULEX dhe KFOR, do të vijojnë koordinimin dhe do të ndërmarrin veprimet e nevojshme sipas vlerësimit të rregullt të situatës së sigurisë në dhe përreth objekteve komunale, në komunat veriore të Republikës se Kosovës”, bëhet e ditur në njoftimin e Policisë.
Ndryshe, policia ka konfirmuar rreth tri javë më parë se përfunduar tërheqja e 25 për qind e zyrtarëve të Policisë së Kosovës nga objektet komunale në veri dhe zonat përreth tyre. /Telegrafi/