Site icon Telegrafi

Reçica: Është e domosdoshme rritja e pagës minimale

Foto: Arkiv

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, ka thënë se menjëherë nesër, pasi të konstituohet Këshilli Ekonomik Social, do të fillojnë negociatat dhe do të dërgojnë në Qeveri propozimin për rritjen e pagës minimale.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Reçica ka thënë se ka pasur hezitime të përkrahet propozimi i vitit 2017, për rritje të pagës minimale. Sipas tij, kjo ka qenë arsyeja pse ai propozim i Këshillit Ekonomik Social nuk është miratuar në mbledhje të Qeverisë atë kohë.

Ministri i Punës ka thënë se rritja e pagës minimale në Kosovë është e domosdoshme për shkak të rritjes së kostos jetësore që ka ndodhur në vend.

Lexo po ashtu Ymeri: Urgjentisht duhet të rritet paga minimale

“Pas miratimit të propozimit nga ana e këshillit ekonomik social, në fund të vitit 2017 pak ditë pas kompletimi të materialeve, të njëjtin material e kam përcjellë në qeveri. Dua të jem shumë i hapur, ka pasur hezitime se propozimi i KES-it për pagën minimale do të ketë implikime ligjore dhe buxhetore. Të njëjtat jam përpjekur maksimalisht t’i sqaroj që nuk ka implikime ligjore, bazuar në opinion ligjor të departamentit ligjor të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Hezitimet kanë vazhduar dhe kjo është arsyeja që ende ai propozim i KES-it i marrë në fund të vitit 2017 të mos renditet për miratim në mbledhje të qeverisë”, tha ai.

Lexo po ashtu Haradinaj: Paga minimale prej 239 euro për të punësuarit nën 35 vjeç

Sipas Reçicës, rritja e pagës minimale do të ketë ndikim në mbulimin e kostos jetësore, e cila do të ndikonte drejtpërdrejtë në rritjen e mirëqenies qytetare në vend.

Ai tha se menjëherë pas konstituimit të këshillit do të nisin negociatat për një propozim që do ta përcjellin pastaj në qeveri. /KP/Telegrafi/

Exit mobile version