E ardhmja e Joshua Kimmich vazhdon të jetë e paqartë, nëse do të qëndrojë apo do të largohet nga Bayern Munichu.
Mesfushori gjerman është futur në vitin e fundit të kontratës dhe ai kërkohet nga shumë klube të mëdha evropiane.
Paris Saint Germain, Barcelona, Man City, Liverpool dhe Arsenal janë disa nga klubet e mëdha që kanë shprehur interesim për të.
Por në garë është edhe Real Madridi, megjithatë Los Blancos nuk duan transferimin e tij në këtë afat kalimtar veror.
Marca ka raportuar se drejtuesit e Realit kanë kontaktuar me agjentët e futbollistit duke i thënë që ai të qëndrojë deri në vitin e ardhshëm te Bayerni dhe të nënshkruajë me Realin.
Kampioni në fuqi i Evropës dëshiron që ta marrë gjermanin si transferim të lirë pa pasur nevojë të shpenzojë para për të.
Por vështirë që plani i Realit të funksionojë, pasi te Bayerni i kanë ofruar rinovimin yllit të tyre dhe i kanë bërë të qartë se nëse nuk rinovon atëherë do ta shesin.
PSG është skuadra më e interesuar dhe është gati të shpenzoj 50 milionë euro për transferimin e gjermanit në Parc de Princes. /Telegrafi/