Telegrafi

Real Madridi dhe Barcelona në garë për Brozovicin

Ylli i Interit, Marcelo Brozovic ka hyrë si emër i ri në planet e transferimit të dy klubeve të mëdha nga La Liga, Barcelona dhe Real Madrid, këtë verë.

Mesfushori i Interit ka bërë përshtypje tash e disa kohë në Serie A, dhe në moshën 27-vjeçare duket se ka ardhur koha që ai të provojë fatin e tij në një fazë të re.

Sipas gazetës Mundo Deportivo, dy ekipet më të mira të La Ligës, Reali dhe Barca po shikojnë mundësinë e transferimit të ish-yllit të Lokomotiv dhe Dinamo Zagrebit.

Brozovic ka qenë njëri nga më të mirët në Serie A dhe Evropë vitet e fundit në pozitën e tij dhe është e lehtë të shihet pse dy ekipet që kërkojnë të shtojnë shkathtësi në mesfushat e tyre, interesohen për transferimin e tij.

Sigurisht që Antonio Conte është kategorik kundër largimit të yllit të skuadrës, dhe ka të ngjarë që kroatin Brozovic të shohin edhe shumë vite te Interi.

Nga ana tjetër, është e rrallë të shohësh një lojtar tek refuzon ekipe si Reali dhe Barca – e lëre më të dyja në të njëjtën kohë.

Ylli kroat pëlqehet shumë edhe nga Liverpooli, ndërsa klauzola e tij besohet të jetë 60 milionë euro. /Telegrafi/