Telegrafi

Reagon Haradinaj: Prishtina përjetoi një ngjarje makabre, aktet e tilla kriminale nuk do të tolerohen

Kryeministri në detyrë, dhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj ngjarjes tragjike që ka ndodhur sot në Prishtinë, ku humbi jetën një person dhe u  plagosën tre të tjerë.

“Vrasja e një personi dhe plagosja e shumë të tjerëve, në mes të ditës duke rrezikuar edhe shumë banorë të Lagjes së Spitalit, është tragjedi që na prek të gjithëve”, ka theksuar Haradinaj.

Ai ka ftuar organet e rendit, që të angazhohen pa ndalë deri në gjetjen e motiveve dhe dorasëve.

“Tronditje!  Prishtina përjetoi sot një ngjarje makabre! Vrasja e një personi dhe plagosja e shumë të tjerëve, në mes të ditës duke rrezikuar edhe shumë banorë të Lagjes së Spitalit, është tragjedi që na prek të gjithëve.

Ftoj organet e rendit, që të angazhohen pandalë deri në gjetjen e motiveve dhe dorasve të kësaj masakre dhe të njëjtit të marrin dënimin meritor. Ngushëllime për familjen që humbën familjarin e tyre dhe lutemi për shëndetin e të plagosurve. Kosova nuk do të lejojë ngjarje të tilla. Ne kemi forcuar në vazhdimësi institucionet e rendit dhe ligjit në vend dhe aktet e tilla kriminale nuk do të tolerohen”, ka shkruar Haradinaj.