Telegrafi

Reagimi i Zidanes tregon se sa serioz është lëndimi i Asensios

Real Madridi e ka mposhtur Arsenalin 3-2 nga penalltitë, pasi koha e rregullt kishte përfunduar 2-2 në turin që po e zhvillojnë në Amerikë.

Pasi pësuan humbje ndaj Bayern Munichut në ndeshjen hapëse të tyre në International Champions Cup, Los Blancos morën fitoren e parë ndaj kundërshtarit nga Liga Premier.

Alexander Lacazette shënoi golin e parë për Gunners, para se Pierrer-Emerick Aubameynag ta dyfishonte epërsinë në pjesën e parë.

Lexo po ashtu Penallti, kartonë të kuq dhe katër gola: Reali fiton fal 11-metërshave kundër Arsenalit

Pas pushimit të pjesës së parë, Real Madridi filloi me spektakël, duke shënuar nëpërmjet Gareth Bales dhe Marco Asensios.

Mesfushori spanjoll shënoi një gol të bukur për ta barazuar rezultatin në 2-2, mirëpo pak minuta më vonë ai pësoi një lëndim serioz.

Gjatë një përballjeje me Aubameynagun, Asensio e zuri këmbën keq, për t’u rrëzuar kështu në dhimbje. Ai dukej në dhimbje serioze, derisa filloi ta mbulonte fytyrën me fanellën e tij.

Radioestadio ka raportuar në lidhje me lëndimin e spanjollit të talentuar, para se Real Madridi të lëshojë një njoftim zyrtar.

“Në mungesë të konfirmimit zyrtar nga Real Madridi, Marco Asensio mund të ketë thyer ligamentin e kryqëzuar anësor të gjurit të tij të majtë”, thuhet në postimin e tyre të bërë në Twitter.

“Ka nevojë për analiza më të thella mjekësore për të konfirmuar shkallën e saktë të dëmtimit.”

Kjo është një situatë e tmerrshme për 23-vjeçarin, i cili dukej i vendosur për të sfiduar për një vend në formacionin startues në sezonin e ri, por tani është e mundur që ai ta humbet sezonin. /Telegrafi/