Telegrafi

Reagimi i ‘Plisave’ pasi FSHF i la pa bileta për ndeshjen festive Shqipëri – Ishujt Faroe

‘Plisat’ njihen si një nga grupet me përkrahjen më të madhe për Kombëtaren e Shqipërisë dhe atë nuk i janë ndarë ndër vite.

Edhe atëherë kur kishte shumë pak tifozë në përkrahje të kuqezinjëve, ‘Plisat’, ishin pranë ekipit.

Por për këtë ndeshje të fundit ku festohet kualifikimi i Shqipërisë në Euro 2024, tifozët prishtinas kanë mbetur pa bileta nga FSHF. Ata kanë reaguar, duke thënë se do të jenë gjithmonë afër Shqipërisë.

Lexo po ashtu Live: Shqipëri-Ishujt Faroe, ndeshje festive, por që na duhet një pikë

“Plisat edhe një herë lajm. Nuk ka bileta. Por, sot nuk kemi kohë për lajmet tuaja. Plisat e kanë përfunduar misionin e tyre, ME SUKSES”.

“Kur të gjithë ia kthyen shpinën kombëtares, ne ishim aty! Këta të njëjtit, të pandalshmit, të pashantazhueshmit, të vetmit, “kriminelat”, “tradhëtarët”… ne do të jemi gjithmonë aty. Pavarësisht ndërhyrjeve të politikës, e të kujtdo, do të jemi përherë e më të fortë”.

“Nuk ka bileta – nuk ka problem. Le të shkojnë sonte të tjerët për festë. Në fund të fundit Kombëtarja është e të gjithëve. Ne do të kthehemi përsëri, edhe në festa – edhe në ditë të vështira”.

“Plisat janë në festë. Prishtina sonte feston. Feston sepse ajo frymon KUQ E ZI. Sepse KU KA PLISA OSHT’ SHQIPNI. Shihemi në Gjermani!”, kanë shkruar Plisat në reagimin e tyre. /Telegrafi/