Kanë filluar reagimet e para në spektrin politik pasi kryeministri Albin Kurti në Televizionin Publik ka thënë se do të ketë Asociacion të komunave me shumicë serbe pasi që një gjë e tillë e parashikon pika e 10 e propozimit evropian që është pranuar nga Kosova.
Deputeti i LDK-së, Avdulah Hoti në një reagim të shkurtër në Facebook Kurtin e ka quajtur mashtrues dhe të pabesë duke iu referuar deklaratës së këtij të fundit.
“A paska Asociacion?! Mashtruesit. Të pabesët”, ka shkruar Hoti.
Deputeti i LVV-së Arbër Rexhaj i ftuar në emisionin Debat Plus, ka thënë se deklarata e Kurtit është një lloj konkuldimi që ka një Asociacion brenda obligimeve ndërkombëtare që ka marrë Kosova.
E ndërsa zëdhënësi i Qeverisë tha se kryeministri nuk tha diçka të re në lidhje me Asociacionin.
“Kryeministri Kurti nuk tha diçka të re lidhur me Asociacionin. Ai dha përgjigje për tërësinë e Propozimit Evropian, përkatësisht për nenin 10 të tij i cili flet për të gjitha marrëveshjet e deritanishme, plot 39 sosh, shumicën e të cilave nuk i respekton e zbaton Serbia e për vetëm njërën ka vendim të Gjykatës Kushtetuese. Asociacion ndodhet te dy ish marrëveshje për shkak të nënshkrimeve të Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit që janë aty”, ka deklaruar Kryeziu./Telegrafi/