Vendi të premten mbrëma u trondit nga ngjarja tragjike në Gllogjan të Deçanit, ku nga të shtënat me armë u vranë tre persona në një autobus, dy prej tyre nxënës.
Zyrtarë policor kanë përjashtuar mundësinë e ndonjë akti terrorist, ndërsa kanë bërë të ditur se në këtë rast kanë angazhuar të gjitha njësitet elite policore të rajonit e shumë shpejt pritet t’iu bashkohen edhe ato nga Prishtina.
Javën që po lëmë pas, saktësisht të premten, në Elbasan të Shqipërisë u mbajt mbledhja e dy qeverive Kosovë-Shqipëri, ku u nënshkruan 13 marrëveshje.
Pas mbledhjes së dy qeverive, ka bërë jehonë deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama i cili në pyetjet e gazetarëve rreth bashkimit kombëtar, tha se do të votonte pro.
Po javën që lamë pas në Kosovë për vizitë ishte i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.
Tre të vrarë nga të shtënat në autobus në Gllogjan, dy prej tyre nxënës
Tre persona kanë humbur jetën nga të shtënat me armë zjarri në një autobus në Gllogjan të Deçanit i cili po barte nxënës të premten mbrëma.
Ngjarjen tragjike e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
“Tre persona kanë humbur jetën si pasojë e gjuajtjes me armë zjarri”, tha Nikçi për Telegrafin.
“Një është i plagosur. Aq sa kemi informacioni i plagosuri është jashtë rrezikut për jetë”, tha Nikçi.
Autobusi po qarkullonte në relacionin Gjakovë – Deçan në kohën kur ndodhi gjuajtja me armë.
Nuk dihet ende autori e as motivet e sulmit që tronditi Deçanin mbrëmjen e së premtes.
Drejtori i Spitalit të Pejës, Skënder Dreshaj ka thënë se dy të vdekur janë nxënës të moshës së re.
Zëvendësdrejtori i Policisë Rajonale të Pejës, Veton Elshani, ka deklaruar se dyshimet e para bazuar në hetime, tregojnë se sulmuesi i autobusit mund të ketë qenë i vetëm, në kryerjen e veprës së rëndë në Gllogjan të Deçanit sonte, ku vdiqën tre persona, shoferi dhe dy nxënës.
Numri dy i Policisë Rajonale të Pejës, përjashtoi mundësinë e ndonjë akti terrorist. Ndërsa tha se kanë angazhuar të gjitha njësitet elite policore të rajonit e shumë shpejt pritet t’iu bashkohen edhe ato nga Prishtina, të udhëhequra nga Drejtori i Përgjithshëm.
Bashkimi kombëtar Kosovë-Shqipëri, Edi Rama thotë se haptas do të votonte pro
Të premten në Elbasan u mbajt mbledhja e përbashkët, e shtata me radhë e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë.
Në këtë mbledhje u nënshkruan 13 marrëveshje Kosovë-Shqipëri, ndërkaq vitin e ardhshëm dy vendet pritet ta kenë Abetaren e përbashkët.
Pas mbledhjes së dy qeverive, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kanë mbajtur konferencë për media.
Në këtë konferencë, Rama u pyet nëse do të votonte pro bashkimit kombëtar, marr shkas nga barometri i publikuar një ditë më parë ku thuhet se 80 për qind e qytetarëve në Shqipëri janë pro bashkimit me Kosovën, raporton Telegrafi.
Rama tha se do të votonte hapur pro bashkimit me Kosovën dhe sipas tij një gjë e tillë do të ndodhë por kur e si nuk e dinë.
“Kjo është pyetje a provokim?
Në rast se më pyesni në hipotezën e një referendumi paqësor për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën do të bëja një shkelje të Ligjit për fshehtësinë e votës, do të votoja hapur pro.
Tani në rast se më pyesni a do të ndodhë kjo apo jo, meqë më provokoni po provokoj edhe unë them se kjo do të ndodhë, nuk di kur do të ndodhë, si, por që kjo do të ndodhë një ditë, unë them që po.
Tani atyre që mund ta marrin këtë dhe mund të dalin e të bërtasin për Shqipërinë e madhe, unë them se fallxhorët nuk gjykohen… se është një fall meqë po më pyesni, nëse do të hidhja fall dhe në këtë rast po e hedh me imagjinatë se unë nuk shoh filxhan unë them se do të ndodhë, kur e si këtë nuk e di.
….Fallin e futa në mes për përkthyesit dhe për ata që do të bëjnë deklarata pas kësaj, se u takuan në Elbasan, do të digjet Ballkani, po na sulmojnë shqiptarët, etj për këta e kisha….”.
Siç njofton Telegrafi, për bashkimin kombëtar u deklarua edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Më dua më duket më shumë mos kuptim se keqkuptim. Bashkim kombëtar nuk është gjësend që e përzgjedhim ose zgjedhim, por një intencë kolektive që na zgjedh dhe përzgjedh.. prandaj nuk mund të vendosim ne mbi procese të tilla historike e të përcaktojmë data e mënyra…”, tha ai.
Modalitetet e takimit të ardhshëm në Bruksel, gjithçka nga vizita e Lajçakut në Kosovë
Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak të enjten pasdite është takuar me presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Në këto takime krerët shtetëror dhe përfaqësuesi special i BE-së për dialogun ka folur për mundësitë dhe modalitetet e takimit të ardhshëm në Bruksel.
Derisa krerët shtetëror kanë theksuar se epilogu i dialogut duhet të jetë njohja e ndërsjellë, Lajçak ka thënë se takimet Kosovë-Serbi duhet të prodhojnë rezultate pozitive.
Ai tha se është duke vazhduar përgatitja e takimit në mes të Kurtit dhe Vuçiqit, por se dëshiron rezultat nga ky takim.
Por Lajçak nuk dha ndonjë datë konkrete se kur mund të ndodhë takimi i radhës, duke thënë se ai dëshiron që takimet Kosovë-Serbi të japin rezultate.
“Kjo është edhe arsyeja pse jam këtu. Nuk ka të bëjë vetëm me takimet, por edhe rezultatet. Këtë javë unë kam takuar dy herë kryeministrin Kurti dhe kam biseduar me presidentin Vuçiq, por nuk kishte rezultate pozitive të këtyre takimeve. Ambiciet tona janë të ndryshme në këtë moment dhe nuk ka të bëjë vetëm me organizimin e takimit, por edhe me një marrëveshje dhe kjo është arsyeja që ne po punojmë në këtë drejtim”, u shpreh Lajçak.
I pyetur se çfarë pret nga takimet e radhës Kurti-Vuçiq, diplomati sllovak tha se nuk dëshiron të spekulojë.
“Dialogu do të vazhdojë, sepse është i rëndësishëm dhe ne kemi një vullnet të mirë. Ne vetëm duhet të sigurohemi që takimi do të prodhojë rezultate të mira”, tha Lajçak.
Ai tha se vizita e tij në Kosovë ka të bëjë me përgatitjet e plota për takimin e radhës në Bruksel, por nuk dha ndonjë datë të saktë se kur mund të ndodhë kjo. /Telegrafi/