Policia e Kosovës ka arrestuar sot 11 persona të dyshuar për përfshirje në veprimtari penale.
Sipas njoftimit të policisë thuhet se të njëjtit janë arrestuar nën dyshimin për keqpërdorime në Agjensionin për Zhvillimin e Bujqësisë.
“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit-Sektori i Hetimeve të Korrupsionit, pas hetimeve disa mujore të realizuara në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, nën dyshimin për keqpërdorime në Agjensionin për Zhvillimin e Bujqësisë, sot më 29.06.2022, kanë organizuar operacionin policor në disa komuna të Republikës se Kosovës (Pejë, Istog, Deçan, Viti Suharekë dhe Ferizaj). Nga ky operacion policorë deri me tani janë arrestuar dhe ndaluar njëmbëdhjetë persona të dyshuar”, thuhet në njoftim.
Të arrestuarit, dyshohet së janë përfshirë në veprat penale: ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar’, ‘marrja e ryshfetit’, ‘dhënia e ryshfetit’, ‘mashtrimi me subvencione’ ‘falsifikimi i dokumenteve zyrtare’ dhe ‘pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare’.
“Tre nga të arrestuarit janë persona zyrtar, ndërsa tetë persona të dyshuar janë përfitues subvencionesh të cilët dyshohet se kanë përfituar subvencione përmes dhënies së ryshfetit dhe falsifikimit të dokumenteve”, thuhet në njoftim.
Pas intervistimit të të dyshuarve, më aktvendim nga prokurori, të njëmbëdhjetë të dyshuarit dërgohen në mbajtje deri në 48 orë.
Kujtojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 15 janar të vitit 2021 kishte nisur veprimet e para hetimore në drejtim të hetimit të disa zyrtarëve të Agjencisë për Zhvillim Bujqësorë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, pas dyshimeve për dallavere me subvencione.
Dyshimet e para ishin se në kohë dhe në vende të ndryshme kanë pranuar ryshfet në forma të ndryshme, kanë dhënë ryshfet dhe të njëjtin e kanë ndarë mes vete me qëllim që në mënyrë të kundërligjshme të përfitonin dobi pasurore.
Më 24 dhe 25 shkurt 2021, Policia e Kosovës Drejtoria për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, realizoi bastisje në Ministrinë e Bujqësisë ku në kuadër të saj është Agjencioni i Pavarur për Zhvillim të Bujqësisë.
Bastisje në atë kohë pati edhe në Istog, Gjilan, Podujevë e Lipjan, ku në përfundim të operacionit në pranga përfunduan 21 persona nën dyshimin për keqpërdorime të fondeve dhe subvencioneve, si dhe u sekuestruan 400 mijë euro.
Aksionet në kuadër të rastit “Subvencionet 2021” nuk përfunduan me kaq. Një tjetër aksion u realizua më 1 mars 2021, në rajonin e Pejës, ku u arrestua zyrtari i Drejtorisë së Bujqësisë në këtë komunë.
Aksionet vazhduan, dhe më 12 mars 2021 policia kishte arrestuar edhe dy persona në fshatin Ponesh të Gjilanit, nën dyshimin se në bashkëveprim me njëri tjetrin kishin vendosë në aplikacion për subvencione parcelën e mbjellur me grurë pa dëshirën e viktimës mashkull kosovar, njëri nga të arrestuarit ishte zyrtar në Drejtorinë e Bujqësisë në Gjilan, kurse tjetri një fermer.
Policia nuk ishte ndalur me kaq, aksioni kishte vazhduar përgjatë vitit 2021 edhe disa herë të tjera. Më 30 qershor 2021, policia kishte zhvilluar aksion sërish në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë. Gjatë këtij aksioni ishin arrestuar edhe 21 persona të tjerë në mesin e tyre 14 zyrtarë.
Arrestimit edhe të 31 personave të tjerë për keqpërdorime me subvencione, i parapriu sërish një aksion i zhvilluar më 3 dhjetor 2021, në disa lokacione të ndryshme të Kosovës.
Prokuroria Speciale kishte njoftuar se nga ky aksion janë ndaluar dhe intervistuar gjithsejtë 31 persona, prej tyre 12 zyrtarë me pozita të ndryshme nga komunat dhe zyrat rajonale të Agjencionit Zhvillimor të Bujqësisë dhe zyrës rajonale të APK. /Telegrafi/