Në Komisionin për Integrime Evropiane sot ka dështuar të mbahet raportimi i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi. Opozita fajësoi Bislimin për dështimin e mbledhjes, ndërkaq këshilltari i Bislimit, Klisman Kadiu tha se mbledhja ka dështuar për shkak se nuk kishte kuorum.
Për dështimin e raportimit ka reaguar edhe deputeti i Lishjes Demokratike të Kosovës-së, Avdullah Hoti, transmeton Telegrafi.
Sipas Hotit, nuk është hera e parë që Bislimi nuk raporton në Komisione.
“Nuk është hera e parë që kryenegociatori i Kosovës për dialog nuk raporton në Komisione të Kuvendit. Raportimi i Qeverisë në Kuvend për dialogun nuk është në vullnetin e saj, por është obligim kushtetues. Nuk është mund t’i iket kësaj përgjegjësie”, është shprehur ai.
Tutje, Hoti ka shkruar se është për keqardhje degradimi i dialogut.
“Është për keqardhje degradimi i dialogut nga takimet e nivelit më të lartë në Uashington e Bruksel për “Marrëveshje finale, ligjërisht e obligueshme, për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve”, në dialog nëpër hotele të plazheve, në Bratisllavë e në Ohër për marrëveshje të ndërmjetme që e lënë problemin hapur për dhjetë vitet e ardhshme”, thotë Hoti.
Por, Hotit i është kundërpërgjigjur këshilltari i Besnik Bislmit, Klisman Kadiu.
Ai ka quajtur të pavërteta deklarimet e Hotit.
“Paragrafi i parë: nuk është e vërtetë. Paragrafi i dytë: ju lutem dikush ta informojë z. Hoti që komisioni për integrim evropian nuk është për raportim për dialog, por për integrim evropian. Paragrafi i tretë: …”razumem”, vijon reagimi i Kadiut.
Ndryshe, anëtarë të Komisionit për Integrim Evropian nga radhët e opozitës deklaruan sot se zëvendëskryeministri Bislimi nuk ka shkuar në raportim.
Kryetarja e Komisionit, Rrezarta Krasniqi që vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi të enjten ka konfirmuar ardhjen në Komision dhe se ishte datë e caktuar nga vet zëvendëskryeministri.
“Sot e pamë që kjo mbledhje ka qenë e qëllimshme ku nuk ishin prezentë as deputetët e pozitës. Qëllimi i këtij takimi ka qenë të vijë zëvendëskryeministri dhe të na njoftojë lidhur me sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës sepse ne si komision ende nuk e kemi listën e projekteve”, tha ajo.
Opozita vendosi edhe disa fotografi të Bislimit në hapësirat ku mbahen mbledhjet e Komisionit. /Telegrafi/