Site icon Telegrafi

Raphinha drejt një rikthimi sensacional në Ligën Premier

Raphinha ka qenë një nga investimet më të mëdha të Barcelonës gjatë afatit kalimtar të verës.

Gjiganti katalunas pagoi hiq më pak se 58 milionë euro për transferimin e tij nga Leeds United, madje duke fituar garën me skuadrat si Arsenal, Chelsea dhe Tottenham Hotspur.

Por vetëm pas gjashtë muajsh të kaluar në Camp Nou, anësori brazilian mund të rikthehet në elitën e futbollit anglez Ligën Premier, pasi nuk ka arritur pritshmëritë te Barça.

26-vjeçari është paraqitur në 18 ndeshje nën drejtimin e Xavi Hernandez, duke shënuar dy gola e duke asistuar në katër të tjerë, por këto shifra po konsiderohen të ulëta në Camp Nou.

Te Barcelona presin shpërthimin e Ansu Fatit dhe Raphinha po konsiderohet si i tepërt në Camp Nou, duke marrë parasysh paratë e investuara në të dhe pagën e lartë të brazilianit.

Gazeta katalunase Sport ka raportuar se Barcelona po pret ofertën e duhur për anësorin këmbëshpejtë dhe Chelsea, Arsenal e Newcastle United janë tre klubet angleze që kanë shfaqur interesim për të.

Barcelona po pret ofertën e duhur dhe nëse arrin ndonjë mbi 60 milionë euro atëherë mund ta lejoj largimin e brazilianit qysh në afatin kalimtar dimëror. /Telegrafi/

Exit mobile version