Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u shpreh në një komunikim rreth takimit me kryeministrin e Holandës, Mark Rutte se, “vizita në Hagë ka pasur një lajm të jashtëzakonshëm për moralin dhe perspektivën e Shqipërisë”.
Në një video nga takimi të publikuar sot në Facebook, Rama zbulon se “Shqipëria bashkë me Holandën do të përgatisin një propozim të tyren për se si duhet të artikulohet në terrenin e jetës reale europiane, ideja e Presidentit të Francës për Komunitetin e Ri Politik Europian.”
“Kjo është një ide e re për të gjeneruar një energji dhe fuqi të re europiane, pa e zëvendësuar dhe as anashkaluar procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian”, tha Rama.
“Ndërsa ideja e propozimit shqiptaro-holandez mori jetë pikërisht gjatë vizitës në Hagë, ku duke vlerësuar lart punën dhe arritjet e Shqipërisë, po edhe duke çmuar kontributin tonë kritik në tryezën e Këshillit Europian, kryeministri Mark Rutte më kërkoi të hidhnim në letër, bashkarisht, si dy vende mike, njëri në rrënjët e BE-së, tjetri ende jo në BE, një këndvështrim të përbashkët për sesi duhet të jetësohet ideja e komunitetit të ri politik europian”, u shpreh kreu i qeverisë.
Ky, nënvizoi Rama, “është një moment i paimagjinueshëm deri pak vite më parë i Shqipërisë në arenën politike ndërkombëtare dhe më gjerë si edhe një shprehje prekëse për Shqipërinë e për shqiptarët”.
“Do të punojmë me kryeministrin Rutte dhe skuadrat tona për të nxitur një debat konstruktiv e produktiv për Europën e të gjithë europianëve, në Samitin e Madh për këtë temë, në Pragë tetorin e ardhshëm, ku do të paraqesim edhe propozimin tonë”, theksoi Rama. /Telegrafi/