Telegrafi

Rama: Propozimi francez plotësisht i pranueshëm, kritikat ndaj BE-së dhe Bullgarisë janë dëgjuar me respekt

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka folur sot për situatën e bllokimit të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, si pasojë e konfliktit mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. 

Në një konferencën për shtyp pasi u kthye nga punimet e Samitit të NATO-s në Madrid, Rama u shpreh se propozimi i fundit francez për zgjidhjen e konfliktit duhet të pranohet nga Maqedonia e Veriut, pasi sipas tij është plotësisht i pranueshëm.

Kryeministri theksoi se nuk ka asnjë problem me Bullgarinë pas zgjedhjes së këtij ngërçi.

“Në këndvështrimin tim, propozimi i ri dhe ai përfundimtar, është një propozim plotësisht i pranueshëm dhe vëllezërit tanë dhe parlamenti i Maqedonisë së Veriut duhet ta pranojë. Duhet të jetë e qartë se ne nuk kemi asnjë problem me Bullgarinë, veç shqetësimit për pengmarrjen e Maqedonisë së Veriut, nga një proces që mund të ketë shumë më Evropian, por është një ujë që ka kaluar nën urë. Me mbylljen e procesit të shqyrtimit dhe të aprovimit të autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, nuk kam asgjë për të shtuar ndaj Bullgarisë. Uroj që të mos ndeshim të tjera Bullgari në forma të tjera”, tha Rama.

Lexo po ashtu Shqipëria fton NATO-n për të ngritur një bazë në portin e Durrësit, Rama: Propozimi ka ngjallur shumë interes

Kryeministri Edi Rama tha se kritikat që ka bërë në drejtim të Bashkimit Europian dhe Bullgarisë, janë dëgjuar me respekt nga partnerët.

“Ne nuk jemi Amerika, Britania e Madhe apo Franca, por dinjiteti i shqiptarëve dhe Shqipërisë nuk është më pak i rëndësishëm… Për sa më takon, kudo ku jam i pranishëm, askush nuk mund të mbajë qëndrime që bien ndesh interesit të Shqipërisë dhe shqiptarëve, apo neglizhojnë sensin e barazisë, pa marrë përgjigjen e duhur”, tha Rama.

“Nuk kam bërë luftë, as me BE as me Bullgarinë. Kam thënë thjesht disa të vërteta të cilat, ju siguroj, janë dëgjuar me shumë respekt. Nëse ne nuk respekton veten, nuk të respekton tjetri. Shqipëria ka kaluar dekada e parespektuar fare, ose e respektuar formalisht. Kjo nuk ndodh më. Ne pyetemi, konsiderohemi, dëgjohemi, dhe natyrisht është kënaqësi shumë e posaçme të dëgjosh Presidentin e SHBA të falsë ashtu siç foli për rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit”, sqaroi kryeministri. /Telegrafi/