Site icon Telegrafi

Rama: Kosova rrezikon të humbasë shansin historik të planit franko-gjerman

Asociacioni i komunave serbe në veri të Kosovës është një nyjë që duhet këputur një orë e më parë. Kështu u shpreh nga foltorja e Parlamentit, kryeministri Edi Rama, në seancën ku do të miratohet rezoluta për Kosovën.

Në fjalën e tij, kreu i qeverisë përsëriti qëndrimin për zbatimin e planit franko-gjerman, teksa shpjegoi kërkesën ndaj KFOR, për të marrë nën kontroll veriun dhe akuzat në drejtim të tij.

“Një turravrap lukunie e etur për sherr, hipokrizi pseudopatrioke. Furia mori kot kur përsërita qëndrimin e njohur. E kam thënë në samitin e NATO-s mbi domosdoshmërinë e marrjes së kontrollit të veriut të Kosovës nga KFORI, fokusimi te suksesi i planit franko-gjerman dhe dhënies drejtim të asociacionit me shumicë serbe se është një nyje që nuk duhet mbajtur si litar në këmbë, që e pengon Kosovën në rrugën e saj dhe largon objektivin për t’u bërë pjesë e OKB-së, NATO-s, BE-së”, tha Rama.

“Ajo nyje duhet këputur një orë e më parë nuk duhet shkencë, por vetëm logjikë, për të kuptuar se ai asociacion duke mos u bërë është kthyer në litar, i cili për mendtë e kokës do të vazhdojë të shtrëngojë këmbët e Republikës së Kosovës. Të mos e kuptosh këtë do të thotë të mos duash t’ia dish si duhet hedhur hapi tjetër. Kosova po rrezikon ta humbasë shansin historik që i jep plani franko-gjerman, për të bërë një progres në luftën me Serbinë prej mosbërjes së atij asociacioni besimin e atyre që e njohën si shtet të pavarur. Duke u bërë fakt i kryer ai asociacion që mistifikohet si të ishte kali i rilindur i Trojës, do të kthehet në litar në këmbët e Beogradit. Nëse bëhet si duhet, Serbia nuk do të lëvizë dot aq lirshëm sa ka lëvizur këto kohë në Bruksel e SHBA”, shtoi Rama.

Lexo po ashtu KFOR-i të marrë nën kontroll veriun, Rama: Nuk ka forca të mjaftueshme, sovraniteti i Kosovës mund të lëndohet nga rruga zhgënjyese që ka marrë vendi

Rama theksoi më tej se u shfrytëzua vrasja e policit në Banjskë në të dy anët e kufirit për të rritur mbështetjen elektorale dhe ushqimin e ndjenjave armiqësore ndaj tij.

“Interesi ynë strategjik për një paqe përfundimtare dhe progresi ekonomik e social është në përputhje të plotë me interesin tonë kombëtar. Shqipëria nuk ka luksin të mendojë dhe të luajë me dy porta. Ku është halli andej dhe këtej kufirit? Ku është problemi me reagimin e Shqipërisë me ngjarjen e Banjskë për qametin e madh të mendjeve që tash e 10 vjet çfarë nuk lëshojnë nga goja. Halli është që të mos lihet rast i shpikur për të masakruar mua dhe PS, me teori konspiracioni, deformime faktesh e akuzash lumë. Nga Prishtina në Tiranë nga profile politike e mediatike, u nxit menjëherë pas ngjarjes së Banjskës furia kinse patriotike e radhës ndaj meje si vëllau i Vuçiçit. Ishte e dhimbshme të shikoje në të dyja anët e kufirit daljen në pah të synimit të ulët të shfrytëzimit të jetës së humbur të policit duke rritur mbështetjen elektorale duke lëshuar gjuhën e mexhelesit publik e digjital që të rentabilizohej sa më shumë politikisht revolta e shqiptarëve për vrasjen e policit me ushqimin e ndjenjave armiqësore ndaj personit tim gati si të isha bashkorganizator në këtë vrasje”, tha kryeministri. /Telegrafi/

Exit mobile version