Megjithëse Serbia dhe Shqipëria kanë qenë shpesh në mosmarrëveshje gjatë dekadave, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u lut për mirëkuptim për pozicionin e Beogradit në lidhje me Rusinë.
Në një intervistë për Politico, Rama tha se “duhet të kuptoni se Serbia është në pozitë ndryshe nga vendet e tjera, për shkak të historisë së saj, për shkak të lidhjeve të veçanta me Rusinë”.
Ai tha se besonte se Serbia duhet të vendosë sanksione me kalimin e kohës, por paralajmëroi kundër presionit që po bëhet ndaj Beogradit për të bërë gjithçka shumë shpejtë, duke shtuar se Serbia është shumë e varur nga Moska për furnizimet me energji.
“Të kërkosh që të shkojnë atje, tani, dhe në të gjithë gamën, është praktikisht e pamundur…Është vetëvrasëse për ekonominë e tyre,” tha ai.
Ushtrimi i tepërt i presionit perëndimor mbi Serbinë mund të jetë i dëmshëm për stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor, paralajmëroi Rama.
“Ne ndonjëherë duhet të durojmë bashkë me të tjerët dhe të kuptojmë se çfarë po ndodh, përndryshe nuk mund ta mbajmë këtë komunitet të bashkuar për qëllime më të larta dhe më të mira,” tha ai.
“Mendoj se Serbia është në rrugën e duhur. Sigurisht, jo me shpejtësinë që mund të na pëlqejë ose mund të dëshirojmë. Por më besoni, skenarët e tjerë janë vërtet shumë të keq për të gjithë dhe veçanërisht për këtë rajon”, tha Rama.
Kujtojmë se Serbia është i vetmi vend në Evropë bashkë me Bjellorusinë që nuk kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë pas agresionit të saj në Ukrainë. /Politico/