Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka shpërndarë sot foto nga Aeroporti Ndërkombëtar Nënë Tereza në Tiranë ku shihet bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi. Ai ka njoftuar nisjen e turit ballkanik dhe firmosjen e marrëveshjeve midis qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës që ishin parashikuar të nënshkruheshin në mbledhjen e dy qeverive më 14 qershor.
Në një postim në Facebook, Rama ka shkruar se 13 marrëveshjet janë dorëzuar në Ministrinë e Jashtme të Kosovës dhe se është në pritje të konfirmimit të takimit me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, i cili një ditë më parë u shpreh se do të takohej me Ramën vetëm nëse do të mbahej mbledhja e përbashkët e qeverive.
“Me kundërfirmosjen e palës kosovare ato hyjnë menjëherë në fuqi. Mbetem me shpresë se pas heqjes së merakut të shprehur publikisht nga KM Kurti për qytetarët e penguar të përfitojnë nga 13 marrëveshjet, do të kemi edhe konfirmimin e takimit me Albinin sot pasdite”, shkruan Rama.
Rama nis sot një tur dyditor në Ballkanin Perëndimorë në kuadër të përgatitjeve për mbajtjen e samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë në tetor të këtij viti.
Ai do ta nisë turin me vizitë në Maqedoninë e Veriut, ku pasdite pastaj do të arrij në Prishtinë.
Deri më tani është konfirmuar takimi i Ramës me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin Galuk Konjufca.
Kujtojmë se më 13 qershor, Rama kishte anuluar mbledhjen e përbashkët me Qeverinë e Kosovës, që ishte paraparë të mbahej në Gjakovë.
Ai kishte thënë se “shkaku i acarimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe bashkësisë euroatlantike, takimi nuk mund të mbahej në formatin e paraparë”. /Telegrafi/