Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq është lajmëruar sot nga fshati Rudarë, ku janë të vendosura barrikadat tash e dy ditë, e të cilat kanë shkaktuar bllokimin e rrugëve që çojnë në dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak.
Rakiq përmes një video, kërkoi lirimin e serbëve të arrestuar siç tha ai “padrejtësisht” në veri të Kosovës.
Arrestimi i një ish-polici serb të shtunën u bë edhe shkas i barrikadave që ngritën disa qytetarë serbë në pjesën veriore të Kosovës.
Rakiq tha se nata e mbrëmshme ishte e qetë dhe se e duan vetëm paqen.
“Ne kërkojmë që qytetarët tanë të arrestuar padrejtësisht, të lirohen, dhe që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti t’i tërheqë njësitet që i dërgoi në veri, të ndalojë keqtrajtimin e fëmijëve tanë dhe të ndalojë ndjekjen e serbëve”, tha Rakiq, duke mos prezantuar ansjë provë për këto pretendime.
Një ditë më herët, ai po ashtu tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po përgatit dërgimin e forcave të tij speciale “për të përndjekur” serbë nga pjesa veriore e vendit.
Këto deklarata të tij u hodhën poshtë nga Qeveria e Kosovës. /Telegrafi/