Telegrafi

Qindra njerëz protestojnë kundër Izraelit në Muzeun e Artit Modern në New York

Qindra protestues pro-palestinez janë mbledhur brenda Muzeut të Artit Modern (MoMA) në New York, duke e detyruar muzeun të mbyllë dyert disa orë më herët, ka raportuar uebfaqja e arteve dhe kulturës, Hyperallergic.

Bëhet e ditur se, në shenjë proteste ndaj investimeve të supozuara në armatimin e Izraelit nga administratorët e muzeut, rreth 800 persona kanë protestuar brenda objektit.

Në videot e postuara në rrjete sociale dëgjohen qindra njerëz duke brohoritur ndërsa mbajnë në duar shenja dhe pankarta të ndryshme me mbishkrimet “Armëpushim tani”, “Rroftë Gaza”, dhe “Nga lumi në det”, pjesë kjo e shkëputur nga versioni i këngës popullore anti-izraelite “Nga lumi në det, Palestina do të jetë e lirë”.

Protestuesit kanë shpërndarë më shumë se 1000 pamfleta, por vëmendje mori pankarta e madhe e vendosur në korridorin e muzeut ku shkruhej “Free Palestine”.

Pas rreth 15 minutash, rojet e sigurisë filluan t’i shpërndanin protestuesit, në mënyrë që të lirohej hyrja dhe dalja brenda ndërtesës për vizitorët e tjerë.

Ndryshe, një protestë e ngjashme në MoMA është zhvilluar edhe në maj të vitit 2021. /Telegrafi/