Site icon Telegrafi

Qindra miliarda euro asete ruse janë ngrirë nga vendet e BE-së dhe G7 – si mund të shfrytëzohen për rindërtimin e Ukrainës?

Komisioni Evropian pritet që javën e ardhshme të miratojë një propozim ligjor për përdorimin e asteve ‘të ngrira’ ruse shkaku i sanksioneve.

Projektligji pritet të miratohet më 12 dhjetor, dy ditë përpara samitit përfundimtar të këtij viti, ku do të takohen 27 liderë të vendeve të Bashkimit Evropian.

Lexo po ashtu Ndihma për Ukrainën në nivelin më të ulët që nga fillimi i luftës

Parashikimi i një vetoje hungareze dhe grindjet buxhetore midis vendeve të Bashkimit Evropian, ulin mundësitë për një marrëveshje që do t’i japë një shtytje Ukrainës.

BE thotë se ka ngrirë rreth 21.5 miliardë euro pasuri ruse ndërsa një tjetër shumë prej 300 miliardë eurove të bankës qendrore ruse janë sekuestruar nga vendet e G7.

Rreth 125 miliardë euro mbahen nga kompania belge Euroclear. Belgjika si shtet i BE-së, por jo anëtare e G7, tha se do të mblidhte rreth 2.3 miliardë euro taksa, të cilat do t’i përdorte për të ndihmuar Ukrainën.

Propozimi i Komisionit ka për synim të prezantojë disa rregulla standarde për trajtimin e të ardhurave të tilla në të gjitha shtetet e BE-së.

Ndryshe, për miratimin e projektligjit do të jetë e nevojshme mbështetja unanime e 27 vendeve, raporton skynews.

Lexo po ashtu Paketa e re e armëve prej 175 milionë dollarësh për Ukrainën, Blinken: Një nga të fundit që aktualisht mund të sigurojmë

Megjithatë, udhëheqësit e BE-së nuk pritet t’i japin propozimit miratimin e tyre përfundimtar, por ndoshta, t’i ngarkojnë qeveritë e 27 vendeve me më shumë punë.

“Një grup i vendeve anëtare kanë ende shqetësime ligjore”, tha një diplomat i lartë i BE-së, duke shtuar se transferimi i fondeve në arkat qendrore të BE-së, “nuk është e mundshme të ndodh në të ardhmen e afërt”. /Telegrafi/

Exit mobile version