Telegrafi

Miratohet rishikimi i buxhetit për vitin 2022, shtohen 150 milionë euro

Miratimi i vlerës së pagës minimale, shqyrtimi i buxhetit për vitin 2022 dhe ndalimi i eksporteve bazike, janë disa nga vendimet që Qeveria e Kosovës ka marr në mbledhjen e saj të fundit.

Kryeministri Albin Kurti në fillim të mbledhjes është shprehur se vendimi për ndalimin e eksportit të produkteve bazë është me qëllimin që të sigurohet furnizimi i qytetarëve me këto produkte.

“Ndalimin e përkohshëm të produkteve bazike agroushqimore. Në rrethana aktuale, ky vendim do t’iu siguroj qytetarëve produkte bazë si gruri, mistri, mielli, kripa e kuzhinës dhe sheqeri. Sot do të miratojmë edhe rishikimin e buxhetit për këtë vit, i cili me këtë rishikim do të rritet nga 2.75 miliardë euro në 2.9 miliardë euro. Po ashtu, hiqet tatimi për pagën minimale, nga e cila do të përfitojnë të gjithë punëtorët”, tha Kurti.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se rishikimi është i jashtëzakonshëm dhe se rishikimi i rregullt i buxhetit do të bëhet sërish në mes të vitit.

Lexo po ashtu Qeveria miraton pagën minimale, 250 euro neto

“Tre mujorin e parë të vitit kemi pasur 17 për qind më shumë të hyra, marrë parasysh edhe nevojën për mbështetjen e qytetarëve është parë e nevojshme të kemi një rishikim të tillë që të reflektohen këto të hyra. Vlera që shtohet e buxhetit është 150 milionë e 500 mijë euro dhe rishikimi bëhet vetëm në Ministrinë e Financave në Pakon e Ringjalljes Ekonomike, te kategoria subvencione dhe transfere. Kjo vlerë financohet nga rritja e të hyrave prej 66 milionë euro, nga financimi i jashtëm prej 40 milionë euro dhe pjesa tjetër vjen nga shfrytëzimi i bilancit tregtar ekzistues”, tha Murati.

Kurti tha se pavarësisht sa është lartësia e pagës, për pjesën e 250 eurove nuk do të ketë tatim në pagë.

Ndërkaq, Murati tha se nevojitet të ndryshohen ligjet që ndërlidhen me pagën minimale. /Telegrafi/