Telegrafi

Putini duhet ta kuptojë se nuk do të ketë sukses në Ukrainë, thotë Johnson

Në një intervistë për BBC, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson thotë se “Putini tashmë ka dështuar”.

Kryeministri britanik pohon se presidenti rus “nuk e kuptoi se çfarë e priste kur dërgoi trupat në Ukrainë” dhe “forcën e rezistencës së tyre”.

Ai akuzoi Putinin për “kryerjen e një sërë krimesh lufte” në një nivel që nuk ka ndodhur në Evropë “që nga Rajhu i Tretë”.

Johnson thotë se Mbretëria e Bashkuar dëshiron të bëjë më shumë dhe ndjen “agoninë e ukrainasve”.

“Putin duhet të kuptojë se ai nuk mund të ketë sukses tani”, thotë ai duke shtuar se “Ai nuk do të jetë në gjendje të shtypë dhe pushtojë Ukrainën, sepse ata kanë treguar në thelb se kanë një shpirt të paepur. Pra… ai duhet të tërhiqet. Ai duhet ta mbyllë këtë gjë. Ai duhet të kthejë pas tanket dhe armatën e tij”.

I pari i shtetit britanik pohon se duhet të gjendet një zgjidhje që respekton vullnetin e popullit ukrainas. /Telegrafi/