Presidenti Vladimir Putin shënoi ditën kombëtare të Rusisë të hënën duke iu drejtuar rusëve në atë që ai tha se ishte një “kohë e vështirë” për vendin.
Megjithatë, duke folur në një ceremoni të dhënies së çmimeve në Kremlin, Putin nuk bëri asnjë koment të drejtpërdrejtë mbi zhvillimet e fundit në Ukrainë, ku forcat e Kievit kanë nisur një kundërofensivë të shumëpritur dhe kanë rimarrë disa fshatra në rajonin lindor të Donetskut gjatë disa ditëve të fundit.
“Kjo festë publike shënon pandashmërinë e historisë sonë shekullore, madhështinë dhe lavdinë e atdheut”, u tha Putin personaliteteve të mbledhura, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Sot, në një kohë të vështirë për Rusinë, (ndjenjat e patriotizmit dhe krenarisë) bashkojnë shoqërinë tonë edhe më fort… (dhe) shërbejnë si një mbështetje e besueshme për heronjtë tanë që marrin pjesë në operacionin ushtarak special (në Ukrainë)”, citohet të ketë thënë Putin.
Në këtë ditë të vitit 1991, parlamenti rus shpalli zyrtarisht sovranitetin rus nga Bashkimi Sovjetik.
Bashkimi Sovjetik u shpërbë zyrtarisht në dhjetor të atij viti dhe festa e 12 qershorit u vendos në vitin 1992.
Deklaratat e tij erdhën në ditën kur Ukraina tha se ka rimarrë një fshat të katërt në juglindje si pjesë e kundërofensive të saj.
Dhe lajmi erdhi pasi Ukraina tha se çliroi gjithashtu fshatrat Blahodatne, Neskuchne dhe Makarivka, të cilat shtrihen në skaj të rajonit të Donetsk, pranë rajonit të Zaporizhzhia. /Telegrafi/